Vazhdojnë protestat në Brazil, kritikohet menaxhimi i pandemisë nga Bolsonaro

0
18

Dhjetëra mijëra njerëz protestuan përsëri në disa qytete të Brazilit kundër presidentit të shtetit, Jair Bolsonaro, për mënyrën sesi ai është duke e menaxhuar situatën me pandeminë COVID-19.

Rreth 10,000 njerëz të maskuar marshuan në Rio de Janeiro, duke iu përgjigjur thirrjeve nga organizatat e majta dhe lëvizjet studentore.

“Askush nuk dëshiron të jetë në rrugë në mes të një pandemie. Bolsonaro nuk lë asnjë alternativë. Ne jemi në rrugë për të mbrojtur jetën. Ne nuk do të presim për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen vitin tjetër. Ky është vetëm fillimi “,ka thënë udhëheqësi i Lëvizjes së Punëtorëve të Pa Strehuar, Guilherme Boulos.

Protestuesit thonë se shumë vdekje mund të ishin shmangur nëse qeveria do të kishte filluar më herët procesin e vaksinimit, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv

Ata gjithashtu akuzojnë presidentin për promovimin e shpyllëzimeve në Amazonë, dhunën dhe racizmin.
Demonstratat u mbajtën në shumë qytete braziliane, duke përfshirë Salvadorin (në verilindje), kryeqytetin Brasilia dhe Belo Horizonte (juglindje).

Brazili është vendi i dytë në botë me numrin më të madh të të vdekurve nga COVID-10, ku kanë ndërruar jetë 461,000 persona që nga fillimi i pandemisë. Vetëm gjatë muajit të kaluar, pati më shume se 100,000 jetë të humbura.