Kina dërgon furnizime në stacionin e ri hapësinor

0
47

Anija kozmike transportuese kineze “Tianzhou 2” u nis sot drejt hapësirës për të dërguar furnizime kryesore në stacionin hapësinor në ndërtim të vendit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.

Problemet teknike javën e kaluar vonuan lëshimin e planifikuar përmes një rakete transportuese Long March 7 në aeroportin hapësinor Wenchang, në ishullin jugor kinez Hainan.

“Tianzhou 2” po transporton mallra dhe karburant në pjesën kryesore të stacionit hapësinor të quajtur Tianhe (Harmonia Qiellore), që do të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm.

Fluturimi i sotëm ishte një parakusht për një mision të ardhshëm me njerëz, që do të çojë tre astronautë në modulin kryesor.

Ky mision është planifikuar të nisë nga aeroporti hapësinor “Jiuquan”, në shkretëtirën Gobi, në qershor.

Astronautët do të qëndrojnë atje për tre muaj.

Për të përfunduar stacionin hapësinor, dy module të tjera laboratorike, secila me peshë rreth 20 tonë, do të lëshohen gjithashtu në hapësirë.

Dy fluturime të tjera mallrash dhe dy misione me personel janë planifikuar në 2022.

Nëse Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor ndërpret shërbimin e tij, siç është planifikuar në vitet e ardhshme, Kina do të jetë i vetmi vend që ende operon një post të përhershëm në hapësirë./ATSH