Kisha Ortodokse nuk e pranon Kurtin në Manastirin e Deçanit

0
517

Albin Kurti nuk pritet ta vizitojë Manastirin e Deçanit.

Kjo pasi dioqeza Rashkë-Prizren e Kishës Ortodokse Serbe nuk ia ka miratuar kërkesën.

Të paktën jo përderisa qeveria e tij nuk e zbaton një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për njohjen e pasurisë dhe pronës së këtij manastiri.

Kjo është përgjigja që i ka kthyer kryeministrit të Kosovës dioqeza në fjalë.

“Nëse autoritetet e Prishtinës duan ta tregojnë minimumin e vullnetit të mirë për të respektuar të drejtat fetare të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë e Metohi, duhet që në plotni të përmbushin vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për njohjen e pasurisë dhe pronës së Manastirit (të Deçanit)”, thuhet në një njoftim të lëshuar nga ky institucion religjioz, përcjellë Klankosova.tv.

Në këtë kumtesë potencohet fakti se vendimi i gjykatës në fjalë “ka pesë vjet që injorohet, me gjithë insistimet e pandërprera për ta zbatuar atë, si nga ana e manastirit, ashtu edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë”.

“Pos kësaj, ministri për Planifikim Hapësinor nga qeveria e Kurtit publikisht e ka hedhur poshtë vendimin për zonën e veçantë të sigurisë, të vitit 2020, që ka të bëjë me ndërtimin e një rruge anashkaluese rreth zonës së mbrojtur të manastirit”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

“Minimi i këtij vendimi që u nxor me ndërmjetësim ndërkombëtar, praktikisht thërret për shkelje të ligjit për zonat e mbrojtura”.

“Në këtë situatë, përgjigja në këto letra, pa treguar paraprakisht respekt për vendimet gjyqësore dhe sundimin e ligjit, është e pabazë”, thuhet në kumtesën e dioqezës Rashkë-Prizren të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.