OBSH kërkon shmangien e një katastrofe të re

0
77

Pandemia është ende në zhvillim, vendet e pasura po monopolizojnë vaksinat dhe origjina e virusit mbetet e paqartë dhe të gjitha këto janë të mjaftueshme për të nxitur anëtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila do të takohet javën e ardhshme, për të gjetur mjetet për të shmangur një tjetër katastrofë.

“Asambleja e 74-t Botërore e Shëndetësisë (nga 24 maj deri më 1 qershor), e cila do të mbahet ashtu si vitin e kaluar në internet, është padyshim një nga më të rëndësishmet në historinë e OBSH-së”, paralajmëroi shefi i organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Disa personalitete të larta, duke përfshirë krerët e shteteve, do të flasin në hapjen e debateve. Me një objektiv, të shënojmë përgjigjen joadekuate të botës ndaj Covid dhe të hartojmë planin e betejës kundër pandemive të mundshme në të ardhmen.

Një çështje kryesore është reforma e OBSH-së, e shtyrë në kufijtë e saj nga COVID-19. Disa vende, veçanërisht në Europë, po bëjnë thirrje për një organizatë më të fuqishme, të aftë për të kryer hetime të pavarura dhe të pajisura më mirë financiarisht.

Aktualisht, vetëm 16% e buxhetit vjen nga kontributet e detyrueshme nga shtetet, pjesa tjetër janë kontribute vullnetare nga donatorë publikë dhe privatë që vendosin për kushtet e bashkangjitura atyre.

“Viti i kaluar ka qenë më i provuari në historinë e organizatës sonë. Sidoqoftë, ai gjithashtu ka demonstruar pse, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për një OBSH të fortë dhe të qëndrueshme”, theksoi Tedros.

Shumë raporte nga ekspertët që do të jenë të pranishëm gjatë asamblesë, kërkojnë gjithashtu shumë reforma të sistemeve të alarmit dhe parandalimit për të shmangur një dështim tjetër shëndetësor, ndërkohë që shumë vende ende nuk disponojnë kapacitetet e nevojshme shëndetësore publike për të mbrojtur popullsitë e tyre dhe për të alarmuar në kohën e nevojshme komunitetin ndërkombëtar dhe OBSH-në mbi rreziqet e mundshme shëndetësore.

Një projektrezolutë mbi riforcimin e OBSH-së është ende në diskutim, me objektivin për të konsoliduar rolin qendror të koordinimit të krizave shëndetësore botërore./ /ec/