Kurti në mbledhjen e parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian: Në aspiratat tona për shtet të zhvilluar e demokratik, standardet e BE-së duhet të jenë udhërrëfyes

0
35

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti ka marrë pjesë në mbledhjen e parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian të Qeverisë së Kosovës.

Në fjalën e hapjes, kryeministri Kurti tha se Këshilli Ministror për Integrim Evropian është themeluar si strukturë koordinuese ndër-institucionale, që do të shërbejë si forum i fokusuar për të diskutuar për reformat e rëndësishme, që kërkojnë qasje dhe bashkëpunim ndër-institucional, vëmendje dhe drejtim politik.

Një nga përfitimet direkte e të qenit në proces të integrimit në Bashkimin Evropian, siç tha kryeministri, është edhe skanimi dhe pasqyrimi i punës që na bëhet nga Bashkimi Evropian, në secilën fushë e për çdo vit. “Kjo në fakt e lehtëson shumë punën tonë, por edhe punën time, sepse e kam më të lehtë të shoh progresin dhe të kërkoj përgjegjësi nga secili prej jush aty ku ka dështime e vonesa”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se pret që kërkesat dhe kriteret që dalin nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian për vendin tonë, në kuptimin e standardeve që duhet arritur dhe plotësuar, të trajtohen me seriozitetin e duhur dhe me përkushtimin e nevojshëm.

“Në aspiratat tona shtetërore për të qenë një shtet i zhvilluar, me ekonomi të qëndrueshme dhe vend demokratik ku sundon ligji dhe drejtësia, standardet e Bashkim Evropian duhet të jenë udhërrëfyes”, shtoi kryeministri Albin Kurti.

Në mbledhjen e parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian të Qeverisë së Kosovës, u shqyrtua plani i veprimit për fazën e dytë të prioriteteve politike në kuadër të procesit të integrimit evropian (përkatësisht Agjendës së Reformave Evropiane – ERA II). 

Fjalimi i plotë i Kryeministrit Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Evropian

 I nderuar Kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,

I nderuar Zëvendëskryeministër, z. Besnik Bislimi,

E nderuara Zëvendëskryeministre, znj. Donika Gërvalla,

E nderuara Zëvendëskryeministre, znj. Emilia Redzepi,

Të nderuar Ministra,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të pavarura,

Të nderuar pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë të hap sot mbledhjen e parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, të themeluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, më 13 prill 2021.

Sot në këtë mbledhje do të shqyrtojmë prioritete të rëndësishme në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të konkludojmë çështje para shqyrtimit dhe miratimit përfundimtar në Qeveri. Këto prioritete janë formuluar në kuadër të dokumentit që njihet si Agjenda e Reformave Evropiane (European Reform Agenda) apo ERA 2, i dakorduar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Më lejoni të theksoj pritjet nga ky proces si Kryeministër dhe si Kryesues i Këshillit Ministror për Integrim Evropian.

Unë pres që kërkesat dhe kriteret që dalin nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian për vendin tonë, në kuptimin e standardeve që duhet arritur dhe plotësuar, të trajtohen me seriozitetin e duhur dhe me përkushtimin e nevojshëm.

Në aspiratat tona shtetërore për të qenë një shtet i zhvilluar, me ekonomi të qëndrueshme dhe vend demokratik ku sundon ligji dhe drejtësia, standardet e Bashkim Evropian duhet të jenë udhërrëfyes.

Prandaj agjendën e integrimit evropian duhet ta shohim si pjesë integruese të agjendës qeveritare dhe shtetërore. Ne nuk duhet ta shohim procesin e integrimit evropian nga distanca, si qëllim më vete, si detyra që BE-ja na ka caktuar e të cilat duhet t’i arrijmë ashtu që në fund të shpërblehemi. Përkundrazi, duhet ta shohim si një mundësi që ne e kemi për t’u reformuar, për t’u zhvilluar dhe për të arritur standardin demokratik, ekonomik dhe mirëqenien tonë.

Pronësia e reformave që kërkohen mbetet te ne dhe ne duhet të veprojmë në përputhje me përgjegjësitë që kemi marrë. Përmbushja e shumë kritereve dhe standardeve varet nga  vullneti dhe përkushtimi ynë për t’i kryer ato. Qeveria jonë ka këtë vullnet dhe përkushtim dhe do të angazhohemi fuqishëm që ta materializojmë atë.

Një nga përfitimet direkte e të qenit në proces të integrimit në Bashkimin Evropian është edhe skanimi dhe pasqyrimi i punës që na bëhet nga Bashkimi Evropian, në secilën fushë e për çdo vit. Kjo në fakt e lehtëson shumë punën tonë, por edhe punën time, sepse e kam më të lehtë të shoh progresin dhe të kërkoj përgjegjësi nga secili prej jush aty ku ka dështime e vonesa.

Pra do të kërkohet përgjegjësia nga ministrat për reformat konkrete që duhen të udhëhiqen dhe zbatohen, por edhe  nga të gjithë zyrtarët publikë në pajtim me mandatin dhe përgjegjësinë e secilit. Për këtë qëllim, agjenda e integrimit evropian duhet të jetë e mishëruar në planet e punës të secilit institucion dhe zyrtar në institucionet tona.

Është mirë që të gjithë të lexojmë Raportet e Vendit tonë nga Komisioni Evropian në fushat tona të përgjegjësisë dhe t’i adresojmë gjetjet.

Fakti që koordinimin e këtij procesi e kemi vendosur nën përgjegjësinë e Zëvendëskryeministrit të Parë, njëherësh përgjegjës për integrim, zhvillim dhe dialog, z. Besnik Bislimi, tregon edhe për rëndësinë që i kushtojmë këtij procesi.

Ne kemi themeluar këtë Këshill Ministror për Integrim Evropian si strukturë koordinuese ndër-institucionale që do të shërbejë si forum i fokusuar për të diskutuar për reformat e rëndësishme që kërkojnë qasje dhe bashkëpunim ndër-institucional, vëmendje dhe drejtim politik.

Sot, Zëvendëskryeministri Bislimi do të theksojë detyrat konkrete që na presin nga ky proces, njëherësh edhe pasojat nga mos-realizimi i tyre.

Ju ftoj që të paraqesim pikëpamjet tona rreth detyrave në kuadër të Agjendës së Reformave Evropiane, ta përmbyllim planin e veprimit për zbatimin e saj dhe menjëherë pas kësaj, të vazhdojmë punën për zbatimin.

Ju faleminderit shumë për vëmendjen dhe ftoj Zëvendëskryeministrin Bislimi që ta marrë fjalën.