Merkel: Gjermania po ecën mirë, por nuk është ende jashtë rrezikut

0
37

Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu sot optimizmin e saj në lidhje me përparimin që po bën vendi, ndërsa fushata e vaksinimit ka marrë vrull, por paralajmëroi se Gjermania nuk është ende jashtë rrezikut.

“Rruga e Gjermanisë është e mirë dhe shpresëdhënëse, por duhet ende kujdes, edhe pse numri i të vaksinuarve kundër COVID-19 po rritet”, tha Merkel, sipas burimeve në një takim në internet të grupit parlamentar të partisë së saj.

“Hapat për të rihapur vendin duhet të mendohen mirë”, shtoi kancelarja.

Merkel do të takohet me udhëheqësit e landeve më 27 maj për të diskutuar hapat e ardhshëm për programin e vaksinimit në vend dhe mënyrën e përdorimit të tij te fëmijët dhe studentët.

Udhëheqësit pritet gjithashtu të diskutojnë planet për një certifikatë dixhitale vaksinimi dhe logjistikë vaksinimi në verë, sipas burimeve./ATSH