Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur para mediave para darkës së punës në Bruksel, në të cilën shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell i ka ftuar liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Kisha një takim me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, para darkës ku do të jem bashkë me pesë kolegët tjerë, liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, rajon që ende nuk është i integruar në BE, por që aspiron”.
“Si në çdo takim kemi konfirmuar interesin tonë dhe gatishmërinë për të bërë progres drejt BE-së dhe në të njëjtën kohë kemi diskutuar me miqtë dhe kolegët tanë se si të na ndihmojnë në një anë për reforma dhe si t’i sigurojmë njohjet e pesë vendeve të BE-së”, ka thënë Kurti, njofton KlanKosova.tv.
“Në këtë mënyrë rruga drejt BE bëhet rruga e integrimit. BE është projekt i paqes dhe progresit që nga Lufta e Dytë Botërore. Në shekullin 21 ne duhet ta mbrojmë BE në të gjitha mënyrat”.
“Jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk kemi liberalizim të vizave. Kemi nevojë për këtë”.