Objektet hapësinore: NASA flet për raketën dhe kritikon Kinën

0
49

Mbetjet e raketës më të madhe kineze u rrëzuan në oqeanin Indian, pas disa ditëve me spekulime dhe shqetësime në lidhje me vendin ku mendohej se do të përfundonin ato. Nisur nga kjo, rasti i Kinës ka tërhequr vëmendje botërore ku SHBA thekson mungesën e transparencës.

Shqetësimet në lidhje me mbeturinat e raketës Long March 5B filluan që kur ajo u nis më 29 prill, mirëpo Zyra e Inxhinierisë Hapësinore të Drejtuar nga Kina (CMSEO) u shpreh se shumica e tyre ishin djegur kur hyri sërish në atmosferë. Raketa ishte një variant i dytë i Long March që nisi fluturimin për herë të parë në maj të vitit 2020. Mbetjet e raketës së parë ranë në Bregun e Fildishtë vitin e kaluar, duke dëmtuar disa ndërtesa.

Global Times, një tabloid kinez, e konsideroi si shqetësim “perëndimor” faktin që raketa ishte jashtë kontrollit dhe mund të shkaktonte dëme.

“Kombet që operojnë në hapësirë duhet të minimizojnë rreziqet për njerëzit dhe pronën në Tokë për shkak të ri-hyrjeve të objekteve hapësinore dhe të maksimizojnë transparencën në lidhje me këto operacione,” tha kreu i Administratës Kombëtare të Aeronautikës dhe Hapësirës në SHBA (NASA), Bill Nelson, një ish-senator dhe astronaut. “Është e qartë se Kina nuk po arrin të përmbushë standardet e përgjegjshme në lidhje me mbeturinat hapësinore.”

Me pjesën më të madhe të sipërfaqes së Tokës të mbuluar nga uji, shanset që një zonë e populluar e Tokës të goditej ishin të ulëta, por pasiguria ishte e pashmangshme.

“Është shumë thelbësore që Kina dhe të gjitha kombet e hapësirës dhe entitetet tregtare të veprojnë me përgjegjësi dhe transparencë në hapësirë për të siguruar stabilitetin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë afatgjate të aktiviteteve hapësinore,” u shpreh Nelson.

Burimet: Guardian, Global Times, CNN