Ministria e Shëndetësisë mohon lajmet për refuzim e përzgjedhje të vaksinave

0
30

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media i ka mohuar të gjitha aludimet për refuzim dhe përzgjedhje të vaksinave nga ta.

Siç thotë kjo ministri në një kumtesë për media “aludimet nga kushdo qoftë se ka pasur refuzim të vaksinimit, apo pritje të përzgjedhjes së llojit të vaksinës nuk janë të bazuara”.

MSH poashtu thekson në një kumtesë për media se në koordinim me IKSHP- në po zbatojnë me përpikëri Planin Shtetëror të vaksinimit të popullatës kundër COVID-19.

Personeli shëndetësor janë kategoria prioritet për vaksinim pasi që faza e parë e vaksinimit ka filluar në kohën kur Kosova është përballur me kulmin e infeksioneve me COVID -19,  rrjedhimisht infeksioni ka atakuar edhe personelin shëndetësor dhe rrethin e tyre.

“Komiteti Kombëtar për vaksinim kundër COVID-19 u ka dhënë prioritet punëtorëve shëndetësor si kategori esenciale për menaxhim të situatës me pandeminë, krahas kategorive të tjera, që po ashtu, janë vaksinuar në fazën e parë si të moshuarit; të vendosurit në qendrat për të moshuar dhe punëtorët social që kujdesen për ta, të sëmurët kronikë në moshat e shtyra, etj., gjithnjë sipas Planit Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.