Vaksinat Pfizer, Varhelyi: Kontributi më i rëndësishëm që mund të bënim

0
97

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, e ka përcjellë nga afër procesin e vaksinimit në Sallën “1 Tetori” me vaksinat Pfizer që kanë arritur dje në Kosovë si pjesë e donacionit të BE-së.

“Kjo është një ditë e mrekullueshme për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën. Shpresoj se edhe ju ndiheni në të njëjtën mënyrë. Ka qenë një detyrë e vështirë sigurimi i vaksinave, por ja ku janë. Ne po sjellim mbi 600 mijë vaksina në Ballkanin Perëndimor. Kosova do të pranojë gati 100 mijë vaksina nga Pfizer-BionTech që është partneri jonë më i besueshëm në luftën kundër pandemisë. Me këtë kontribut i gjithë sistemi shëndetësor i Kosovës mund të vaksinohet”.

Ai ka thënë se me kontigjentet e vaksinave që do të vijnë nga Bashkimi Europian do të vaksinohet i gjithë personeli shëndetësor në Kosovë, njofton Klan Kosova.

Komisioneri evropian ka premtuar se do të punojë bashkë me kryeministrin Albin Kurti që të sigurojnë edhe më shumë vaksina.

“Me dërgesat e para dhe dërgesat që do të vijnë në muajin qershor do të keni të gjithë punonjësit shëndetësorë të vaksinuar. Mendoj se ky është kontributi më i rëndësishëm që mund të bënim për të ndihmuar që të fillojmë fundin e pandemisë, sepse pandemia do të përfundojë vetëm kur të jemi të gjithë të vaksinuar. Kjo është vetëm dërgesa e parë. Do të vazhdojmë të punojmë me kryeministrin që të sigurojmë më shumë vaksina në mënyrë që të gjithë të vaksinohen. Dua t’iu kujtoj që ne kemi qenë bashkë me Kosovën gjatë pandemisë. Kemi filluar marsin e vitit të kaluar duke ofruar pajisje mjekësore, maska, ventilatorë, vetura të autoambulancës, pajisje për Repartin e Kujdesit Intensiv dhe renovimin e spitaleve, si dhe e kemi ndihmuar ekonominë duke ofruar asistencë mikro-financiare për buxhetin e Kosovës në mënyrë që të mund ta luftoni pandeminë. Tani kemi ardhur te vaksinat që shpresoj se janë hapi i fundit në luftën kundër pandemisë, prandaj jam i lumtur të shoh sot të gjithë këta njerëz që po vaksinohen. Kjo për neve tregon se ne kujdesemi për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën”.