Zbulimi dëshmon se mund të ketë jetë përtej sistemit tonë diellor

0
190

A ka jetë përtej sistemit tonë diellor? Një ekip astronomësh ndërkombëtarë ka bërë një hap më afër përgjigjes së kësaj pyetjeje historike. Përmes teleskopit me fuqi të lartë Subaru të vendos në Hawaii, një hulumtim i ri ka zbuluar diçka që mund të jetë një e dhënë e rëndësishme për të kuptuar nëse ekzistojnë planetë të tjerë të panjohur të cilët mund të jenë të banueshëm për brezat e ardhshëm.

Ekipi, i udhëhequr nga shkencëtarët në Queen’s University Belfast, zbuloi praninë e një molekule oksigjen-mbajtëse në atmosferën e ekzoplanetit WASP-33b (ekzoplanet – planet që orbiton rreth një ylli, por jo rreth diellit).

Gjetjet e studimit mund të jenë shumë të rëndësishme për shkencëtarët e ardhshëm. ”Ne do të donim të zhvillonim më tej instrumente dhe teknika që na mundësojnë t’i zbatojmë këto metoda në planet, dhe në fund të fundit, në një Tokë të dytë,” tha Dr. Hajime Kawahara, asistent profesor në Universitetin e Tokios.

Ekipi qe në gjendje të zbulonte radikalin hidroksil (OH), një nga molekulat më dominante mbajtëse të oksigjenit të gjetur në temperatura të larta, për herë të parë në atmosferën e një ekzoplaneti.

Kjo molekulë gjendet në atmosferën e Tokës kur avujt e ujit reagojnë me oksigjenin atomik, një formë shumë më e pastër dhe më e paqëndrueshme e gazit që thithim. Në Tokë, OH luan një rol vendimtar në minimizimin e ndryshimit të klimës, duke vepruar si një “detergjent” që prish grumbullimin e gazrave të dëmshëm në atmosferë.

“Shkenca e planetëve ekstrasolarë është relativisht e re dhe një synim kryesor i astronomisë moderne është të eksplorojë në mënyrë të detajuar atmosferën e këtyre planetëve dhe të kërkojë për ekzoplanetë ‘të ngjashëm me Tokën,” tha Dr. Neale Gibson, një profesor në Trinity College Dublin dhe bashkëautor i hulumtimit.

“Çdo specie e re atmosferike e zbuluar përmirëson më tej kuptimin tonë mbi ekzoplanetët dhe teknikat e kërkuara për të studiuar atmosferën e tyre dhe na çon më pranë këtij qëllimi”.