SHBA vendos kufizime për udhëtarët nga India

0
116

Presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi sot vendosjen, që prej javës së ardhshme, të kufizimeve për udhëtarët e ardhur nga India, vend i përballur me një rritje eksponenciale të rasteve me COVID-19.

“Duke ndjekur këshillat e Qendrës për Parandalimin dhe Luftën kundër Sëmundjeve (CDC), administrata do të vendosë kufizime për udhëtimet nga India”, theksoi Shtëpia e Bardhë.

“Ky vendim do të hyjë në fuqi më 4 maj”, shtoi ajo.

Kufizimet nuk do të aplikohen për studentët që do të ndjekin shkollon në SHBA në vjeshtë.

India është kombi i dytë më i përfaqësuar mes studentëve të huaj të pranishëm në tokën amerikane.

Edhe vende të tjera kanë vendosur kufizime për udhëtarët nga India.

Në Francë, ata i nënshtrohen një izolimi të detyrueshëm 10 ditor pas mbërritjes së tyre. Belgjika ka vendosur të ndalojë hyrjen e tyre.

India regjistroi një rekord të hidhur global të 401 993 rasteve ditore të Covid-19 të shtunën, megjithëse u përpoq të fillonte një raund të ri të fushatës së saj të vaksinimit pavarësisht nga mungesa e dozave.

”Numri i përgjithshëm i të vdekurve është gati 212 000 dhe vendi regjistroi 3 523 vdekje në 24 orët e fundit”, raportoi qeveria.

E goditur nga një valë e dytë e pandemisë, India është vendi i parë që përjeton 400 000 raste në ditë pasi raportoi 300 000 infeksione ditore për nëntë ditë rresht./ATSH