OBSH: Miliona fëmijë kanë mungesë të vaksinimeve thelbësore për shkak të pandemisë

0
87

Afërsisht 228 milionë persona, shumica prej tyre fëmijë, janë në rrezik të preken nga sëmundje të parandalueshme, ndonjëherë kërcënuese për jetën, për shkak të pandemisë.

“Në 50 vende, fushatat e vaksinimit kundër fruthit, poliomelitit ose etheve të verdha, për shembull, nuk kanë qenë në gjendje të realizohen për shkak të pandemisë”, thanë sot OBSH, GAVI dhe UNICEF .

“Pandemia ka përkeqësuar një situatë tashmë të keqe, duke bërë që miliona fëmijë të mbeten të paimunizuar”, paralajmëroi drejtoresha ekzekutive e UNICEF, Henrietta Fore.

Kongo, Pakistani dhe Jemeni janë vendet e prekura në veçanti.

Një nga problemet ka qenë ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit.

Në vitin 2020, UNICEF mundi të shpërndajë vetëm 2,01 miliardë doza vaksinash, e krahasuar kjo me 2,29 miliardë në 2019.

Organizatat kanë nisur kështu një iniciativë të re me synimin që 90 % e të gjithë të miturve, në të gjithë botën, të mund të marrin vaksinat e nevojshme, duke parandaluar sëmundje të tilla si fruthi, shytat, rubeola, hepatiti, tuberkulozi dhe poliomeliti.

Kjo përpjekje duhet të ndihmojë në parandalimin e rreth 50 milionë vdekjeve deri në vitin 2030.

Për këtë qëllim, agjencitë e KB-së u bëjnë thirrje vendeve më të pasura dhe kompanive farmaceutike që të investojnë më shumë në kërkimin e vaksinave, si edhe të financojnë fushatat e vaksinimit për popullatat e vështira për t’u arritur./ATSH