Të moshuarit kritikojnë Qeverinë për vaksinat: Po ndihemi të rrezikuar

0
89

Kontingjenti i parë i vaksinave prej 24 mijë dozave tanimë është shpenzuar.

Personeli shëndetësor, të moshuarit mbi moshën 75 vjeçare dhe të sëmurit kronikë patën fatin të vaksinohen, por shumë të moshuar që nuk e patën fatin e njëjtë kërkojnë nga Qeveria Kurti që sa më shpejt të sigurojë vaksinat e radhës.

Adem Aliu, një i moshuar mbi 70 vjeçar nga Prishtina, thotë se ndjehet i rrezikuar nga COVID-19, prandaj kërkon nga Qeveria që të ketë prioritet sigurimin e vaksinave.

Ai kritikon Qeverinë që ndau milionat për kompani që nuk patën humbje gjatë pandemisë, duke thënë se më e nevojshme do të kishte qenë vaksinimi i popullatës.

“Tash krejt popullsia e botës janë të rrezikuar sikur edhe ne. Mosha e vjetër është pak më e rrezikuar, tash me të vërtetë kemi nevojë ndoshta edhe për siguri edhe për vete edhe për mos të përhapur në familje e në rreth sëmundje. Kemi nevojë edhe kemi dëshirë që të vaksinohemi. Sipërmarrjet e mëdha ushqimore nuk kanë pasur kurgjo humbje për këtë sëmundje dhe iu kanë dhënë miliona euro, ma mirë ka qenë që t’i sigurojme vaksinat se me ju dhanë atyre që nuk kanë pasë asnjë humbje”, ka deklaruar ai për KosovaPress.

Edhe 68 vjeçari Ukë Osmanaj thotë se do të dëshironte të vaksinohej në mënyrë që ta mbrojë veten, por edhe familjarët.

Ai pret nga Qeveria që sa më parë të sigurojnë vaksinat e radhës.

“Gjithsesi kisha pasë dëshirë që të vaksinohem. Besoj që jo vetëm unë por të gjithë të moshuarit, por pa përjashtim edhe popullata duhet të vaksinohet. Për fat të keq deri më tash numri është shumë i vogël i vaksinave, por shpresojmë që në ndërkohë do të vijnë vaksinat”.

Por, 71 vjeçari Bexhet Reka për t’u vaksinuar prioritet i sheh personelin shëndetësor, punëtorët e arsimit, policinë dhe ushtrinë.

“Unë vërtet kam qejf, por edhe besoj që kjo qeveri detyrë parësore e ka furnizimin me vaksina. Ata po i premtojnë dhe duhet t’i kërkojmë prej tyre, sepse nëse premton diçka duhet të zbatohet ai premtim. Detyra e këtyre është me u kry ky vaksinim si në popujt e tjerë. Kush është prioritet më së shumti ai le ta marrë… ata që janë në ballë të frontit, arsimi, shëndetësia e policia, ushtria e tani me ardh tjerat kategori”.

Gjithashtu edhe i moshuari tjetër, Ismail Hamiti, thotë se me prioritet duhet të vaksinohen personeli shëndetësor dhe policia, pastaj personat e moshuar.

Deri më tani me dozën e parë të vaksinës AstraZeneca janë vaksinuar 22.096 persona nga 24.000 dozat e para të marra përmes mekanizimit COVAX.