Kaosi i Covidit në Indi: Thirrje për oksigjen; njerëzit vdesin jashtë spitaleve sepse s’ka shtretër

0
124

Spitalet në Indi po përballen me një situatë kaotike dhe vendi po konsiderohet si zona më e nxehtë dhe problematike e pandemisë.

Këtë të shtunë, India raportoi 346,786 infeksione të reja gjatë ditës së kaluar, duke vendosur një rekord botëror për të tretën ditë radhazi, ndërkohë që vdekjet u rritën me 2,624 – norma më e lartë ditore për Indinë deri më tani.

Autoritetet e kujdesit shëndetësor kanë dhënë alarmin për mungesë të theksuar të oksigjenit për pacientët në gjendje të rëndë. “SOS – kemi më pak se një orë furnizim me oksigjen në Max Smart Hospital & Max Hospital Saket”, tha një nga zinxhirët më të mëdhenj të spitaleve private në Delhi. “Mbi 700 pacientë të pranuar, kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme.”

Numri total i të infektuarve në vend ka kaluar në 16.6 milionë dhe India qëndron në vendin e dytë pas SHBA-së përsa i përket numrit të rasteve. Megjithatë shumë ekspertë parashikojnë që vala aktuale nuk do të arrijë kulmin për të paktën tre javë dhe se vdekjet reale dhe numri i rasteve janë shumë herë më të larta.

E tronditur nga kritikat për mungesën e përgatitjes përpara valës së infeksioneve, qeveria qendrore ka organizuar trena të veçantë për të çuar furnizime me oksigjen në qytetet më të goditura. Ajo gjithashtu u ka bërë presion industrialistëve për të rritur prodhimin e oksigjenit si edhe ilaçeve që shpëtojnë jetën pasi janë në mungesë.

Forca ajrore indiane po përdoret gjithashtu për të transportuar cisterna oksigjeni dhe furnizime të tjera në të gjithë vendin. Shumë pacientë po vdesin jashtë spitaleve në kryeqytet për shkak të mungesës së shtretërve dhe oksigjenit.

Një organizatë bamirësie ka ngritur një krematorium të improvizuar për t’u marrë me vdekjen gjithnjë e në rritje.

Burimet: Guardian, Indian Express, BBC