Rasti “Veteranët”- Arsyetimi i gjykatës për lirimin nga akuza të anëtarëve të Komisionit Qeveritar

0
81

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021  Agim Çekun, bashkë me Nuredin Lushtakun, Sadik Halitjahën, Shkumbin Demaliajn, Çelë Gashin, Shukri Bujën, Rrustem Berishën, Faik Fazliun, Smajl Elezajn, Fadil Shurdhajn, Xhavit Jasharin dhe Ahmet Dakun, i shpalli të pafajshëm.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga Drejtësia Sot, thuhet se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka dështuar të ndajë veprimet inkriminuese të të akuzuarve të kryera në bashkëveprim, gjë për të cilën Drejtësia Sot kishte reaguar që në fillim të këtij gjykimi.

Në arsyetimin e gjykatës thuhet se PSRK-ja ka përfshirë në mënyrë të përgjithësuar të gjithë të akuzuarit, duke mos e marrë për bazë vërtetimin e gjendjes faktike ndryshe në shqyrtim gjyqësor me provat e administruara, nga të cilat pa dyshim u vërtetua se jo të gjithë të akuzuarit kishin qenë pjesë e komisionit në të njëjtën kohë.

Për më tepër, devijimet dhe parregullsitë në mos respektim të legjislacionit nga ish zonat operative dhe njësit tjera vartëse në teren, PSRK ua ka vënë në barrë të gjithë të akuzuarve. Kështu duke dështuar të vlerësojë apo të vërtetojë në mënyrë të plotë debatet e zhvilluara në mbledhjet e komisionit. E njëjta u mjaftua që nga ato mbledhja të merr disa nga bisedat e të akuzuarve për të qenë vendimtare në ngritje të aktakuzës.

Sipas gjykatës PSRK-ja, ka dështuar të provojë dashjen e të akuzuarve për kryerjen e veprës penale.

PSRK-ja është mjaftuar që dashjen e të akuzuarve në mënyrë të përgjithësuar ta bazojë në debatet zhvilluara në mbledhjet e KVSH, duke mos i dhënë rëndësi vendimeve të marra në KVSH, e të cilat vendime fare nuk i ka vlerësuar se a janë marrë në mbështetje të ligjeve në fuqi.  Lidhur me këtë kjo gjykatë ka dhënë shpjegime të mjaftueshme, lidhur me secilin pretendim veç e veç, ndërlidhur me veprimet e të akuzuarve gjatë procesit të verifikimit, të cilat veprime kanë rezultuar me marrje të vendimeve të vlerësuara si të ligjshme nga gjykata, e që në mënyrë automatike përjashtojnë qëllimin e të akuzuarve, që të tjerëve tu sjellin përfitim të kundërligjshëm pasuror në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës.,” thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Poashtu, sipas gjykatës qëllimi i përmbylljes së procesit, ishte i obligueshëm, vetëdija e tyre se ishte rritë numri i përfituesve të kategorive të dala nga lufta, nuk lidhet me dashjen e tyre.

Kjo pasiqë  për të  ekzistuar dashja si element subjektiv i veprës penale, kryesi në dashjen e tij duhet të përfshijë dhe dijeninë se është duke e shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, po tejkalon detyrat e tij zyrtare, nuk po e kryen detyrën e tij zyrtare, për faktin se ai përfiton dobi pasurore për veti apo tjetrin, apo shkakton çfarëdo dëmi.

Sipas gjykatës PSRK-ja ka dështuar të provoj se, rritja e numrit të veteranëve luftëtarë të jetë e ndërlidhur me veprimet të të akuzuarve, siç pretendon e njëjta.

Sipas gjykatës duke qenë se në kohën kur është bërë kategorizimi i veteranit luftëtarë kanë qenë dy ligje në fuqi dhe kategorizimin e veteranit luftëtar e përkufizonin ndryshe nga njëri tjetri, ka bërë që rritja e numrit të jetë evidente edhe pse nga debatet e zhvilluara nga komisioni, është vërejtur qartë se gjatë gjithë kohës  të njëjtit, kishte bërë apel që të respektohen ligjet.

Ndërkaq sa i përket pretendimit të PSRK-së në lidhje me mos nënshkrimin e faqes së tretë të aplikacionit gjykata në arsyetimin e saj ka theksuar se PSRK-ja  nuk ka dhënë arsyeje apo bazën ligjore mbi të cilën do të obligoheshin të akuzuarit të nënshkruanin aplikacionet. Andaj dhe këtë pretendim të PSRK kjo gjykatë e mori si të pavërtetuar, pas parasysh ketë fakt.

Lidhur me pretendimet e PSRK-së, se është filluar me lëshimin e certifikatave në kundërshtim me legjislacionin fuqi, ende pa përfunduar procesi i ankesave dhe para miratimit të listave përfundimtare, kjo gjykatë gjeti se lëshimi i certifikatave personave të cilët nuk ishin subjekt i ankesave, para përmbylljes së fazës së procedurës ankimore nuk paraqet ndonjë shkelje ligjore, sepse nuk është gjetur se ka ndalesë me legjislacionin në fuqi.

Sa i përket numrit prej 19.500 aplikuesve veteran luftëtar PSRK ka dështuar që të provoj se të njëjtit, a janë vërtetë përfitues të kundërligjshëm apo jo. PSRK-ja u mjaftua që ndarjen prej 46.230, duke marrë për bazë vetëm Ligjit Nr. 04/L-261 e jo edhe të Ligjit Nr. 04/L-054 ligj duke qenë se përkufizimi i veteranit luftëtarë parashihej ndryshe, fakt i vërtetuar nga të gjithë dëshmitarët përfshirë dhe të akuzuarit që dhanë mbrojtjen.

Megjithatë përmbyllja e listave nga ana e KVSH, ishte bërë referuar vendimit që Qeverisë së Kosovës, sipas të cilit ishte kërkuar që deri me datë 20.05.2016, procesi të përmbyllej, siç dhe vërteton raporti përfundimtar i nënshkruar nga i akuzuari Çeku, në të cilin raport cekur se procesi nuk kishte përfunduar për të gjitha kategoritë e dala nga lufta, i cili raport nga kryeministri Isa Mustafa, ishte aprovuar si i pa përmbyllur me qëllim të lënies së mundësisë për të shqyrtuar dhe njëherë listat, andaj dhe ky pretendim mbeti i pa vërtetuar”, thuhet në arsyetim të gjykatës.

Lidhur me shumën prej 88.769.217.04 €, me të cilën pretendohet se është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës, PSRK-ja për të vërtetuar se në mënyrë të kundërligjshme kanë  përfituar 19.500 persona, është dashur që gjykatës t’i ofroj provë lidhur me këtë pretendim.

Gjykata thekson se ndarja e aplikacioneve nga ana e PSRK, në të ligjshëm apo kundërligjshëm mbetet vetëm një dyshim, për faktin se për 19.500 përfitues si të kundërligjshëm ishte hapur hetim i ndarë.

Poashtu kjo gjykatë nuk ka mundur të vërtetojë saktë se vërtetë është një përfitim i kundërligjshëm nën rrethanat e cekura tek qëndrimi i dhënë lidhur me listat prej 19.500 personave, pas parasysh dhe faktin se përfaqësuesi i të dëmtuarës, në fjalën përfundimtare ka thënë se në MPMS, ka arritur vetëm një vendim i formës së prerë për të cilin është kërkuar ndërprerja e benificionit dhe sipas aktgjykimit i njëjti kishte përfituar në bazë të një certifikate të falsifikuar, fakt i cili nuk ndërlidhet me veprimet e komisionit.

Kujtojmë se, ish- kryeministri i Kosovës Agim Çeku së bashku me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, akuzoheshin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Të njëjtit sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, janë akuzuar se në cilësinë e anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i kanë njohur statusin e Veteranit Luftëtar, rreth 19.500 personave të cilët nuk i kanë takuar kësaj kategorie.

Me këto veprime të kundërligjshme pretendohet se buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në shumë prej 88.769.217.04 euro.