Merkel: Të ndryshojmë botën ku jetojmë dhe punojmë

0
241

Tani ka ardhur koha të ndryshojmë dhe të transformojmë plotësisht botën ku jetojmë dhe punojmë, theksoi kancelarja gjermane, Angela Merkel gjatë samitit të drejtuesve botërorë për klimën.

Ajo kujtoi se Bashkimi Europian parashikon të reduktojë me 55% emetimet e gazit me efekt serrë deri në 2030 në raport me nivelet e vitit 1990.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel përshëndeti angazhimin e ri të SHBA, duke e cilësuar atë një sinjal të rëndësishëm për komunitetin global se SHBA ishte përsëri në tryezën e bisedimeve kur erdhi puna për ndryshimin e klimës.

Ajo vuri në dukje se Gjermania kishte zvogëluar emetimet e veta të gazrave me efekt serrë me rreth 40% krahasuar me nivelet e vitit 1990 dhe ajo do ta vazhdonte në këtë rrugë.

Presidenti Joe Biden nisi dje samtin e klimës me 40 drejtues botërorë duke premtuar se do të përgjysmojë emetimet e gazeve me efekt serrë deri në fund të dekadës, një nga shumë premtimet e marra gjatë takimit në internet për të luftuar ngrohjen klimatike.

“Shkencëtarët na thonë se kjo është dekada vendimtare. Kjo është dekada që ne duhet të marrim vendime që do të shmangin pasojat më të këqija të krizës së klimës”, theksoi Biden, duke e cilësuar si një “moment rreziku”.

Takimi dyditor ka për qëllim bashkimin e ekonomive të mëdha për të vendosur qëllime më ambicioze për reduktimin e emetimeve të karbonit dhe është konsideruar si një përgatitje e rëndësishme përpara konferencës së Kombeve të Bashkuara për klimën në Glasgow në nëntor.