Llapi e Istogu kompletojnë skuadrat gjysmëfinaliste të Kupës së Kosovës

0
43

Llapi dhe Istogu janë dy skuadrat tjera që i bashkohen Prishtinës dhe Dukagjinit në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.

Skuadra e Llapit ka arritur të kualifikohet në këtë fazë të kësaj gare, pasi ka shënuar fitore si mysafire ndaj Trepçës’89, në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, me rezultat 2:1.

Golat për llapjanët i shënuan Ahmed Januzi (8’) dhe Valmir Veliu (51’), derisa golin e vetëm për “minatorët” e shënoi Mohamad Darwish (73’).

Ndërkohë, shumë interesante ishte ndeshja tjetër çerekfinale në stadiumin “Demush Mavraj” ndërmjet Istogut dhe A&N nga Prizreni, ku fituesi u përcaktua vetëm pas serisë së 9-të të penalltive. Në fakt, ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve u mbyll me rezultatin 1:1.

Egzon Kurteshi kaloi Istogun në epërsi në minutën e 72-të, derisa prizrenasit i barazuan shifrat në minutën e 90-të, kur gjuajtja e Albutrint Morinës u devijua nga mbrojtja vendase dhe përfundoi në rrjetë. Ndërkaq, në serinë e penalltive më me fat ishin futbollistët e Istogut, të cilët në fund fituan 7:6.