Bayern Munich dhe Juventus kualifikohen në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve

0
221

Bayern Munich dhe Juventus janë kualifikuar në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve të UEFA-s.

Klubi gjerman Bayern triumfoi ndaj kundërshtarit portugez Benfica me rezultat 5-2 në ndeshjen e Grupit E në Allianz Arena, ku ylli polak Robert Lewandowski shënoi një hat-trick në paraqitjen e tij të 100-të në Ligën e Kampionëve.

Mirëpo, ai humbi një penallti ndaj Benfica-s.

Gjithashtu, Serge Gnabry dhe Leroy Sane shënuan për Bayern-in, ndërsa Morato dhe Darwin Nunez ishin golashënuesit për Benfica-n.

33-vjeçari Lewandowski ka shënuar 81 gola në Ligën e Kampionëve në karrierën e tij, duke kaluar pragun e 80 golave në 100 ndeshje në këtë garë.

Ndërkohë, Lionel Messi e ka arritur këtë në 102 ndeshje të Ligës së Kampionëve, ndërsa Cristiano Ronaldo ka shënuar 80 gola në 116 ndeshje.

Pas fitores 5-2, Bayern kryeson me 12 pikë Grupin E, duke i fituar të katër ndeshjet.

Në këtë grup, Barcelona është në vendin e dytë me gjashtë pikë dhe Benfica e treta me katër pikë.

Dinamo Kyiv nga Ukraina është në fendin e fundit me vetëm një pikë në katër ndeshje.

Në ndeshjet e radhës më 23 nëntor, Dynamo Kyiv do të jetë nikoqir i Bayern-it, ndërsa Barcelona do të presë Benfica-n.

– Juventus arrin në 16-shen e fundit

Klubi italian Juventus triumfoi me rezultat 4-2 ndaj klubit rus Zenit St. Petersburg në ndeshjen e zhvilluar në Allianz Stadium në Torino, për të rezervuar një vend në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve.

Sulmuesi argjentinas i Juventusit, Paulo Dybala, shënoi dy gola, duke përfshirë një penallti në pjesën e dytë të ndeshjes së Grupit H.

Sulmuesit e tjerë të Juventusit, Federico Chiesa dhe Alvaro Morata, shënuan nga një gol.

Leonardo Bonucci shënoi autogol dhe sulmuesi iranian Sardar Azmoun shënoi për Zenitin.

Pas fitores 4-2 ndaj Zenitit, Juventus me 12 pikë është në krye të Grupit H.

Chelsea me 9 pikë është në vendin e dytë, Zenit është në vendin e tretë me tre pikë, ndërsa Malmö nuk ka asnjë pikë.

Në ndeshjen e radhës të grupit, Juventus do të përballet me Chelsea-n në Londër, ndërsa Zenit do të vizitojë Malmö-n në Suedi.