Quni: I dashur miku im Lumir, do të jem përkrah teje në secilën ditë

0
111

Anton Quni, kandidat për Kryetar të LDK-së, derisa filloi Kuvendi i Brendshëm Zgjedhor i kësaj partie, ka thënë se nuk ishte vendim i lehtë tërheqja nga kandidatura për kryetar të kësaj partie.

“Sot, në Kuvendin Zgjedhor, ashtu siç ka reflektuar çdo herë, Lidhja Demokratike tregoi maturinë dhe nivelin më të lartë të përgjegjësisë, për të qenë të unifikuar për t’i dhënë përkrahjen një Kryetari të ri, që reflekton si një Rilindje, për frymën e re drejt rrugëtimit që sot fillon “Lidhja jonë e Re”.

Sot, nuk ishte e lehtë të merrja një vendim për t’u tërhequr nga gara, por përgjegjësia për t’i hapur rrugën frymës së re dhe ndryshimit pozitiv, që më së miri do t’i përfaqësonte Lumiri, mendova se ishte vendimi i duhur”, është shprehur Quni, transmeton KlanKosova.tv.

Quni është shprehur se nga sot, me zgjedhjen e Lumir Abdixhikut, Kryetar i LDK-së, ka filluar një etapë e re e demokracisë së brendshme dhe reforme substanciale.

“I dashur miku im Lumir, do të jem perkrah në secilën ditë, në secilin moment, për të materializuar një proces të mirëfilltë evoluimi, për të jetësuar frymën imponuese dhe të pa-kompromis, të një ndryshimi thelbesor pozitiv; të promovimit të vlerave më të larta, të integritetit, profesionalizmit, meritokracisë dhe gjithëpërfshirjes”.

“Bashkë, do të rikthejmë dinjitetin e humbur të “Lidhjes” sonë, për të nxitur aktivistët, për të rikthyer anëtarët në shtëpinë e vjetër të tyre dhe për t’i hapur rrugën anëtarëve të rinj me kompetencë dhe integritet profesional, për t’i dhënë mundësitë meritore grave dhe rinisë; sepse kjo ishte fryma Rugoviane, sepse të tillë e deshi “Lidhjen” tonë, Presidenti Rugova”.

“Me Ty Lumir, bashkë, këtë kauzë do t’a jetësojmë, sepse literalisht, s’ka asnjë alternativë tjetër”, ka thënë ai ndër të tjera.