Pa fitues në Suharekë e Skenderaj, Gjilani realizon fitoren e parë në pranverë

0
99

Përballja e dy skuadrave të kreut të renditjes, Ballkanit dhe Dritës ka përfunduar pa fitues dhe me rezultatin që ka nisur (0:0). Ndeshja e zhvilluar në Suharekë u karakterizua me lojë të kujdesshme nga të dyja skuadrat, me disa raste të mira shënimi, por që asnjëra skuadër nuk arriti ta gjejë rrugën e golit. Ky barazim ia mundësoi Dritës që të mbetet në pozitën e parë, me 54 pikë, dy më shumë se Ballkani në pozitën e dytë, teksa Prishtina pas humbjes së djeshme ndaj Feronikelit (0:2) mbetet në pozitën e tretë me 50 pikë. Pa fitues është mbyllur edhe ndeshja në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, ndërmjet Drenicës dhe Arbërisë, me rezultat 1:1. Të parët në epërsi kaluan drenicasit me golin e Eglantin Gjonit (31’), por një pikë Arbërisë ia siguroi Çlirim Kashtanjeva (81’). Pas këtij barazimi Drenica mbetet në pozitën e parafundit, me 26 pikë, derisa Arbëria ka një pikë më shumë në pozitën e tetë.

Ndërkohë, Gjilani, tashmë nën drejtimin e Ismet Munishit, i ka dhënë fund serisë negative, duke shënuar fitore në duel me Trepçën’89, me shifrat 2:1. Të dy golat për gjilanasit i shënoi sulmuesi Gerhard Progni (3’, 48’), derisa golin e nderit për “minatorët” e realizoi Sedat Berisha (83’). Për Gjilanin kjo ishte fitorja e parë në stinorin pranveror dhe tani përforcon pozitën e katërt në renditje me 36 pikë, derisa Trepça ’89 mbetet në pozitën e pestë, me 32 pikë.