Nderohen me homazhe viktimat e masakrës së tregut në Mitrovicë

0
70

Në qendër të qytetit të Mitrovicës para 22 vitesh forcat serbe sulmuan me minahedhës, derisa tregu ishte përplot me njerëz, ku si pasojë e hedhjes së granatës, në treg mbetën të vdekur gjashtë persona, në mesin e të cilëve kishte fëmijë dhe gra, ndërsa që lëndime të rënda dhe të lehta morën 128 shqiptarë.

Me këtë rast, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, së bashku me nënkryetarin Faruk Mujka, përfaqësues të institucioneve e asociacioneve të tjera, familjarë të viktimave dhe të plagosurve, gjatë ditës së sotme janë mbledhur për të përkujtuar viktimat e masakrës së tregut në Mitrovicë që ka ndodhur 22 vjet më parë.

Komuna njofton se Bahtiri para të pranishmëve tha se këta njerëz, por edhe të gjithë të tjerët që dhanë jetën për Kosovën, meritojnë përulje dhe respekt të përjetshëm, duke kërkuar nga autoritetet që të veprojnë dhe autorët e kësaj masakre të dalin para drejtësisë.

“Këta njerëz, por edhe shumë të tjerë që kanë dhënë jetën për këtë vend pa fajin e tyre, nga një agresor shekullor, i cili dëshiron të mbetet agresor, dhe ende dëshiron që të ketë dorë në Kosovë, ne ju themi stop atyre, dhe kërkojmë nga institucionet më të larta shtetërore dhe ato botërore, që këta njerëz të cilët kanë shkaktuar këto viktima, të përgjigjen para drejtësisë. Kjo është kërkesa jonë legjitime dhe njerëzore”, ka thënë Bahtiri.