INDEP shënon Ditën e Mbrojtjes së të Drejtave të Konsumatorit në Kosovë

0
133

Data Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve shënohet çdo vit me 15 mars. Këtë vit, INDEP do të shënoj këtë ditë me dy ngjarje.

• Ngjarja e parë do të shënohet me Konferencën vjetore, e cila këtë vit trajton temën “Mbrojtja e konsumatorëve gjatë pandemisë në Kosovë”. Konferenca do të mbahet me fillim nga ora 10:00 deri në orën 11:30 në Hotel Sirius. Për shkak të kufizimeve si mbrojtja ndaj përhapjes së COVID-19, numri i pjesëmarrësve në konferencë është i limituar, prandaj vetëm 30 pjesëmarrës do të lejohen të jenë të pranishëm në event. Të interesuarit mund të na shkruajnë përmes mesazhit në faqen “Mbrojtësit e Konsumatorëve”.

Konferenca “Mbrojtja e konsumatorëve gjatë pandemisë në Kosovë” do të moderohet nga z. Dardan Abazi, Drejtor i Programit në INDEP, dhe si panelistë do të ketë përfaqsues të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në MTI, përfaqësues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarië, si dhe përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e konsumatorit. Gjithashtu, virtualisht në konferencë do të lidhen edhe përfaqësues të organizatës Consumers International.

• Eventi i dytë do të zhvillohet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë dhe do të ketë karakter interaktiv me qytetarët. Ekipi i INDEP do të qëndrojë në shesh në dy stande dhe të gjithë të interesuarit mund të marrin informata të sakta rreth të drejtave të tyre si konsumatorë në Kosovë. Gjithashtu, konsumatorët që kanë ankesa për mosrespektimin ose shkeljen e të drejtave të tyre do të asistohen nga ekipi i INDEP për të parashtruar ankesa në organet kompetente.

Këto aktivitete organizohen në kuadër të marrëveshjes kornizë të INDEP me Zyrën e Bashkimit Europian në Kosovë mbi fushën e mbrojtjes së konsumatorit dhe projektit ‘PACT – Avokim për politika dhe ndërtim koalicionesh për mbrojtjen e konsumatorit’.

Heroi yt je ti!
#Qelisyte #konsumatorvigjilent