Burgim me kusht dhe 5 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarit për mashtrim, i përfshirë në rastin e 113 kg heroinë

0
202

Gjykata Themelore e Prishtinës-Departamenti Special e ka shpallur fajtor dhe dënuar me 1 vit burgim me kusht të akuzuarin L.Z., i akuzuar për veprën mashtrimi në rastin gjyqësor për krim të organizuar lidhur me 113 kg heroinë, raporton Drejtësia Sot.

Ky vendim u shpall sot nga trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët Valbonë Musliu-Selimaj kryetare, Valon Kurtaj e Musa Konxheli antar.

Sipas këtij vendimi, i akuzuari L.Z., dënohet me 1 vit burgim, me kusht që brenda periudhës prej 2 viteve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi të mos kryejë vepër tjetër penale. Po ashtu, ndaj tij u shqiptua edhe dënimi me gjobë prej 5 mijë eurove.

Në fund pas përfundimit të shpalljes së vendimit, mbrojtësi i të akuzuarit L.Z., avokati Haxhi Millaku njoftoi gjykatën se heq dorë nga e drejta e ankesës, këtë pohim pastaj e bëri edhe prokurorja e Prokurorisë Speciale Florije Shamolli.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, i akuzuari L.Z., ishte i përfshirë lidhur me një rast të krimit të organizuar me 113 kg narkotikë të llojit heroinë, ku akuzohej për veprën “Mashtrimi”, kjo ngase pas vdekjes së një anëtari të këtij grupi, kishte përfituar një veturë nga ai në atë mënyrë që kishte kërkuar pastaj çelësat e kësaj veture nga pronari i auto sallonit”Alberti” gjoja se për t’ia shitur veturën tani të ndjerit./DrejtesiaSot