Zgjedhen dy anëtarët e rinj të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radhët e Gjykatës Supreme të Kosovës

0
108

Gjyqtarët Albert Zogaj dhe Teuta Ibrahimi janë zgjedhur anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radhët e Gjykatës Supreme të Kosovës, raporton Drejtësia Sot.

Zgjedhja e tyre në këto pozita erdhi pas mbajtjes së procesit zgjedhor në ambientin e kësaj gjykate, ku të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar gjithsej 28 gjyqtarë.

Të njëjtit kanë pasur të drejtë që në fletëvotime të votojnë për dy nga gjashtë kandidatët që ishin në garë për anëtarë të KGJK-së. Për shkak të kuotës së përfaqësimit gjinor, njëri nga kandidatët e zgjedhur duhej të ishte nga radhët e gjinisë femërore.

Kandidatët e nominuar për këto pozita ishin gjyqtarët Albert Zogaj Diellza Hoxha, Hajrije Shala, Sahit Sylejmani, Shkëlzen Sylaj dhe Teuta Ibrahimi.

Para fillimit të procesit zgjedhor, kandidatët e nominuar, përveç gjyqtarit Shkëlzen Sylaj, kanë paraqitur edhe objektivat e tyre nëse të njëjtit do të fitonin pozitën e anëtarit në KGJK.

Pas kësaj procedure, “Drejtësia Sot” ka monitoruar edhe procesin e votimit, ku kandidatët me më së shumti vota ishin Albert Zogaj dhe Teuta Ibrahimi, të cilët edhe zyrtarisht u zgjedhën anëtarë të KGJK-së nga radhët e kësaj gjykate.

Në bazë të legjislacionit në fuqi, mandati i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës fillon të rrjedh nga dita kur zgjedhen në këtë pozitë dhe zgjat 5 vite. Të njëjtit nuk kanë të drejtë të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

Vendimi për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e dy anëtarëve të KGJK-së nga radhët e Gjykatës Supreme është marrë në takimin e 246-të të Këshillit, i mbajtur më datë 27 janar 2021.

Ndërsa, për mbikëqyrjen e këtij procesi zgjedhor ishte themeluar edhe komisioni në përbërje nga anëtarët e KGJK-së, Cerim Fazliji, Qerim Ademaj dhe Driton Muharremi, ndërsa si anëtar rezervë ishte gjyqtari Avni Mehmeti.

Kujtojmë që sot, në ora 14:00, janë planifikuar të mbahen zgjedhjet edhe në Gjykatën e Apelit, për zgjedhjen e një anëtari të KGJK-së nga radhët e kësaj gjykate./DrejtesiaSot