“Marca”: Spanja s’do ta pranojë Kosovën si shtet sovran gjatë ballafaqimit për Botëror

0
207

Prestigjiozja spanjolle, “Marca”, ka shkruar për ndeshjen e Kosovës me Spanjën në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2022, dhe e ka cilësuar ndeshjen si më të rrallën për ekipin kombëtar të Spanjës.

“Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (FMSF) ka punuar me muaj me Ministrinë e Punëve të Jashtme për të organizuar ndeshjen midis Spanjës dhe Kosovës. Las Rozas gjithmonë ka dashur që t’i japë normalitetin më të madh të mundshëm takimit me faktin se shteti spanjoll nuk e njeh sovranitetin e Kosovës, siç nuk e njohin as dy vendet tjera të grupit: Gjeorgjia dhe Greqia. MPJ ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në mënyrë që ekipi kosovar të ketë qasje dhe të luajë në Spanjë. Por protokolli do të jetë më i veçantë i përjetuar ndonjëherë në ndeshjet e organizuara nga Spanja. FMSF-ja nuk do ta njohë Kosovën si shtet sovran, por si territori i Kosovës. E njëjta gjë ndodh edhe me flamurin, i cili nuk mund të shfaqet pranë atij spanjoll si i një shteti sovran. Apo himni, i cili nuk do të prezantohet si ‘tingujt e himnit kombëtar’. Ai do të prezantohet si muzikë që vjen nga territori i Kosovës”, thotë “Marca”.

Këto detaje, sipas “Marca”-s, afektojnë edhe mediat shtetërore, TVE dhe RNE. Ato nuk lejohet t’i referohen Kosovës i komb sovran. Gjithçka, sipas gazetës, duhet të rregullohet brenda parametrave të caktuara për të folur rreth të përzgjedhurve nga territori i Kosovës.

Ndryshe, takimi Spanjë-Kosovë do të luhet më 31 mars në La Cartuja dhe do të jetë ndeshja e tretë kualifikuese e Spanjës për Kupën e Botës 2022. /Zëri