KQZ merr vendim për rinumërimin e shtatë vendvotimeve ku prezent ishte komisionari i përfshirë në incizimin për blerjen e votave

0
86

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për rinumërimin e 7 vendvotimeve në të cilat komisionar ishte Arbër Krasniqi i përfshirë në incizimin ku flitet për blerje të votave.

KQZ ka marrë vendim edhe për numërimin e votave me kusht dhe atyre të diasporës për kandidatët e AAK-së. Sipas KQZ-së, nga evidenca rezulton se personi në fjalë ka qenë i angazhuar në numërimin e disa votave me kusht dhe atyre me postë.

“Votat e AAK-së nga mërgata dhe me kusht të rinumërohen, sipas vendimit të PZAP-së”, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Ajo më tej shtoi se kjo do të bëhet për të hequr të gjitha dyshimet.

“Kemi rekomandim që ato shtatë vendvotime ku ka qenë prezent ky person që apostrofohet në media që të rinumërohen që ta heqim çdo dyshim”, tha Daka.

Ajo shtoi se rinumërimi i votave nuk do të bëhet vetëm për subjektin politik AAK, por për të gjithë subjektet dhe të gjitha kandidatët.

Daka tha se menjëherë për këtë rast është njoftuar Prokuroria e cila ka nisur hetimet.

“Prokuroria do të jetë prezentë në QNR në procesin e rinumërimit të këtyre votave”, tha Daka./Telegrafi/