BE në 10 vjetorin e dialogut Kosovë-Serbi: Është koha për ta çuar procesin në një fund të suksesshëm

0
41

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se pas 10 vjetësh të dialogut Kosovë-Serbi është koha për të ecur përpara dhe për ta çuar procesin në një fund të suksesshëm.

Stano në një konferencë për media mes tjerash ka përmendur edhe vizitën e emisarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak në Kosovë javën e kaluar ka theksuar se “ai mori garanci nga të dy palët se ekziston dëshira për të vazhduar përfshirjen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, i cili ndërmjetësohet nga BE”.

“Tani po punojmë intensivisht me të dyja palët për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Shtetet anëtare të BE po presin që dialogu të vazhdojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të shohim Beogradin dhe Prishtinën të angazhuar në përfundimin e suksesshëm të këtij procesi dhe si sa më shpejt të jetë e mundur “, tha ai.

I pyetur rreth deklaratave të kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe liderëve të tjerë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, zëdhënësi i BE-së tha se udhëheqësit politikë në rajon, përfshirë institucionet e ardhshme në Prishtinë, pritet të punojnë në ndërtimin e besimit të ndërsjellë dhe marrëdhëniet konstruktive të fqinjësisë së mirë.

“Qëllimi kryesor i marrëveshjes midis Beogradit dhe Prishtinës është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme që mbështet stabilitetin rajonal, është e pranueshme për të dy palët në proces dhe është në përputhje me parimet e BE-së. Ky është fokusi kryesor I ndërmjetësimit tonë dhe të dy palët e dinë se çfarë është e mundshme dhe çfarë nuk është”, deklaroi mes tjerash ai.