Italia zgjat ndalimin e udhëtimit mes rajoneve

0
32

Qeveria italiane vendosi të premten vonë zgjatjen me dhjetë ditë të ndalimit të udhëtimit midis rajoneve të vendit, që pritej të skadonte më 15 shkurt, në një përpjekje për të frenuar pandeminë që tashmë ka vrarë gati 93 000 persona.

Gjatë Këshillit të tij të fundit të Ministrave, kreu i qeverisë në largim, Giuseppe Conte, e zgjati këtë ndalim deri më 25 shkurt, vendim që u kërkua nga presidentët e të gjitha rajoneve italiane.

“Ne kemi nevojë për vendime të marra shpejt, sepse përparimi i virusit dhe varianteve të tij sigurisht nuk ngadalësohet nga kriza qeveritare”, bëri thirrje Fondacioni i Shkencës Shëndetësore ”Gimbe”.

Instituti i Lartë i Shëndetit (ISS), organi publik referues, paralajmëroi se përqindja e rasteve të variantit anglez të COVID-19 është afër 20%.

Sipas raportit të tij, ekziston një qarkullim i fortë i këtij varianti, që ka të ngjarë të bëhet mbizotërues në muajt e ardhshëm./ATSH