Nijazi (Ramadan) Nuhiu, kontabilist dhe tregtar në Preshevë

0
176

Nijazi (Ramadan) Nuhiu (1919 – 1985) – kontabilist – tregtar

Nijazi (Ramadan) Nuhiu apo siç njihej nga preshevarët, Nijazi Kurbalia lindi në vitin 1919 në Preshevë. Ishte njëri nga djemtë e Ramadan Kurbalisë.

Shkollën e mesme ekonomike e kreu në Beograd. (Me ndihmën e shokut të tij, Shaip Latifi, vijoi shkollën e mesme ekonomike në Beograd, dhe pas 9 muajsh u certifikua për kontabilistit profesionist).

Me të kryer shkollimin nisi të merrej me tregti. Punën e nisi te Abdullahu i haxhi Velisë (tregtar dhe aktivist i lëvizjes kombëtare) dhe aty punoi gjashtë vite, e që ndër tjerash shërbeu si ndihmës dhe korrier në mes Abdullahut të h. Veliut dhe Shaban Efendisë të Kumanovës.

Rreth vitit 1948, u burgos për gjashtë muaj në burgun e Bujanocit, me akuzën: planifikim veprimi armiqësor kundër pushtetit serb dhe planifikim-diskutimtë ikjes së tij me miqtë në Shqipëri.
(Për aktivitetet e tij kombëtare, kanë shkruar edhe historiani dr. Qerim Lita në librin e tij “Shaban Efendija” si edhe autori Hasan Emërllau në librin e tij për historikun e rrethinës së Preshevës). Rreth vitit 1950, hapi shitoren private me gjëra ushqimore, dyqan që e mbajti tri vjet. Më pas u punësua në kooperativën bujqësore, ku punoi 4 vjet si kontsbilist. Për shkak të “refuzimit të urdhrave” të drejtorit, pezullohet nga puna. Pas pezullimit nga puna (nga Kooperstiva Bujqësore në Preshevë) punësohet në Ndërmarrjen Publike “Napredak” të Likovës në cilësinë e kontabilistit.

Pasi u kthye nga Likova, punoi në cilësinë e shefit të kontabilitetit në Ndërmarrjen Publike “Moravica”. Nga viti 1971-75 prej N.P. ‘Moravica’, kaloi në Ndërmarrjen Tregtare “Bratsvo”, si përgjegjës kontabiliteti. Ndërkohë punoi edhe honorar në cilësinë e kontabilistit në shkollën e mesme në Preshevë, si dhe një kohë shumë të shkurtër edhe në administratën komunale. Pas pensionimit udhëhoqi kontabilitetin e disa shitoreve private. Nijazi Kurbalia vdiq në vitin 1985, duke lënë nëntë fëmijë prej dy martesave. Me martesën e parë pati dy djem e një vajzë: Masarin, Ahmetin dhe Ajtenen. Meqë i vdes gruaja e parë u martua sërish dhe me gruan e dytë pati gjashtë fëmijë: Naserin, Suatin (tashmë i ndjerë) Shengjylen, Myrveten, Zeqaveten dhe Nerimanen. Familjet e fëmijëve të Nijazi Kurbalisë jetojnë në Preshevë e vende të tjera.