Izraeli del gradualisht nga bllokimi i tretë i plotë

0
60

Izraeli filloi sot daljen graduale nga bllokimi i tij i tretë antiCOVID-19, që nga fillimi i pandemisë COVID-19, duke hapur disa dyqane dhe duke lejuar udhëtime që mund të shtrihen për më shumë se një kilometër.

“Sa për hotelet, ato mbeten të mbyllura dhe restorantet lejohen të bëjnë shpërndarje porosish, por jo t’u shërbejnë klientëve të tyre në vend”, thanë autoritetet.

Fluturimet ndërkombëtare, pothuajse të gjitha të pezulluara që nga 24 janari, nuk do të rinisin deri më 20 shkurt”, sipas qeverisë, që po ruan gjithashtu mbylljen e kufijve tokësorë.

Kabineti pritet të mblidhet sërish sot për të vendosur mbi vazhdimin e masave të daljes nga bllokimi, veçanërisht në lidhje me sistemin shkollor, të mbyllur plotësisht për më shumë se një muaj.

Pavarësisht masave të kontrollit dhe fushatës së vaksinimit, janari ishte muaji më vdekjeprurës që nga fillimi i pandemisë në Izrael, me më shumë se 1 000 vdekje nga virusi.

Sipas raportit të fundit nga Ministria e Shëndetësisë, vendi me nëntë milionë banorë ka regjistruar zyrtarisht më shumë se 686 000 raste, përfshirë 5 074 vdekje që nga fillimi i pandemisë./ATSH