Von Der Leyen rrit presionin mbi AstraZeneca-n për shpërndarjen e vaksinës

0
57

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen i kërkoi sot me forcë kompanisë së vaksinave antiCovid-19, AstraZeneca, që të përmbushte angazhimet e saj ndaj bllokut.

Në një intervistë me radion gjermane ”Deutschlandfunk” Von Der Leyen theksoi se ”ajo që unë kërkoj është transparenca dhe siguria e planifikimit”.

“Kontrata është e qartë si kristali”, tha ajo.

Ndërkohë, AstraZeneca ka argumentuar se është e detyruar të bëjë “përpjekjen e saj më të mirë” mes një shtytjeje të paparë për të rritur prodhimin dhe për të përmbushur kërkesën e madhe aktuale.

Komisioni Europian ka të ngjarë të rekomandojë sot krijimin e një “regjistri transparence” të BE mbi eksportet e vaksinave antiCovid-19 jashtë bllokut deri në fund të marsit.

”Kjo do të lejojë gjithashtu bllokime në eksportet e vaksinave të bëra në bllok që BE mendon se ka të drejtë ligjore me marrëveshjet e saj me firmat farmaceutike”, sipas zyrtarëve të BE.

Von der Leyen hodhi poshtë kritikat për strategjinë e vaksinave të BE në intervistën në radio, duke argumentuar se fakti që BM bëri një marrëveshje me AstraZeneca më shpejt nuk kishte asnjë ndikim në angazhimet e kompanisë.

“Nuk është si të qëndrosh në radhë për bukë”, tha ajo.

Britania e Madhe ka qenë në gjendje të vaksinojë më shumë se 10% të popullsisë së saj, ndërsa Gjermania për shembull vetëm sa ka tejkaluar kufirin dy përqind.

Bashkimi Europian pritet t’i hapë sot dritën jeshile vaksinës së AstraZeneca-s, nëpërmjet Agjencisë Europiane e Barnave (EMA)./ATSH