“Defender 21”, stërvitja më e madhe ushtarake e SHBA-së në Europë/ 6 mijë trupa në Shqipëri

0
152

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim foli për organizimin e stërvitjes ushtarake të drejtuar nga ushtria e SHBA në Europë “Defender 21”, ndërsa theksoi se rreth 6 mijë trupa do të kalojnë në Shqipëri.

E ftuar në një studio televizive, Kim tha se “është hera e parë që e përmend në publik, por do të kemi atë që e quajmë stërvitjen ushtarake Defender 21”.

“Do të jetë një stërvitje e drejtuar nga ushtria e SHBA në Europë dhe do të përfshijë rreth 26 vende të ndryshme, 30 mijë trupa. Do të jenë ndoshta 6 mijë trupa që do të kalojnë nëpër Shqipëri në maj dhe qershor dhe javën e ardhshme, zv.komandanti i ushtrisë amerikane për Europën dhe Afrikën do të jetë këtu për të informuar udhëheqësit e vendet dhe publikun se çfarë është kjo stërvitje. Pra, shumë domethënëse”, tha ajo.

Ambasadorja Kim tha se “do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake që do të zhvillohet në Ballkan”.

“Do të përfshihen 26 vende të ndryshme që do të dërgojnë trupa. Nuk e di nëse të gjitha do të kalojnë këtu, por 6 mijë do të jenë këtu. Ajo që do të ndodhë është që stërvitja do të zhvillohet në shumë vende të ndryshme, jo vetëm në Shqipëri. Edhe vendet e tjera të Ballkanit do të jenë pjesë e stërvitjes dhe deri në Balltik. Ideja e stërvitjes është të zhvillojë bashkëpunimin dhe ndëroperabilitetin mes aleatëve, që të kemi aftësinë të shkojmë nga Adriatiku deri në Detin e Zi. Pra, është diçka madhore”, tha ajo.

“Mendoj se SHBA, nëpërmjet NATO-s, gjithmonë ka qenë e qartë për rëndësinë që ka puna e ngushtë me aleatët dhe miqtë tanë. Jemi të qartë se çfarë do të thotë të jesh pjesë e bashkësisë ndëratlantike”, tha ambasadorja Kim.