“Nanë s’kam lot sonte… se kam tepër krenari”

0
112

Ti kurrë nuk do ta dish si i kam tejkaluar dhimbjet e mëdha se ato i kam njohur pasi ke shkuar ti.

Sonte, më shumë se gjithçka do të doja të të them se jam mësuar të jetoj pa ty. Por ja që kjo nuk ka ndodhë. Është një therje e zemrës që e ndiej sa herë dikush e thërret emrin “nanë”, sa herë vij e nuk të gjej, sa herë qaj e ti nuk je…

Përjetimet që nuk i jetuam kurrë janë peng i jetës time. Kam ende nevojë për ty si fëmijë, e di. Rrugët në të cilat nisem kanë nevojë për praninë tënde, njerëzit që i takoj – sidomos ata që nuk e duan as vetën, kanë nevojë për arsyetimet tua. Ti ke ditë me falë ende pa e parë pendimin në sytë e tjetrit dhe për këtë qetësi kam nevojë…

4 vite sonte – 4 vite prej kur ti ike nga kjo botë dhe bashkë me ty edhe një pjesë e shpirtit tim. Ende e kam të freskët kujtimin e qetësisë ne sytë e tu – i vetmi që ka mbet i gjallë deri në detaje. Atë shikim që më ka rrethuar me mirësinë më të madhe – e vetmja gjë që nuk e kam gjetur askund tjetër në botë.

Dhimbjen e kam shndërruar në qellim, nanë, e di se do të ishe e lumtur po ta dije. Vajza jote e vogël sot e quan vetën të pandalshme nga pengesat dhe e di se këtë do të doje ti.

S’kam lot sonte… se kam tepër krenari.

Nanë, malli im i perjetshëm, forca ime e pa shterrshme, motivi im i përditshëm… sa shumë kam nevojë për ty.