Personaliteti i cili mendonte se gjallesat janë makina të komplikuara, dhe trupi i njeriut i nënshtrohet ligjeve të përditshme të mekanikës

0
426

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 49 me rradhë ka Rene Dekart.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXXIX- Rene Dekart

(1596-1650)

Filozofi, shkencëtari dhe matematikani i njohur francez, Rene Dekart, është lindur në vitin 1596 në fshatin La Aj të zonës së Turenit. Në rini frekuentoi kolegjin jezuit “La flesh”. Në moshën 20-vjeçare vazhdoi studimet me bursë në Universitetin e Poatjes për drejtësi, por me drejtësi nuk u mor asnjëherë. Edhe pse kishte kryer arsim të rregullt, Dekarti ishte i bindur se asnjë fushë veç matematikës nuk jep dije të vërteta. Në vend që të vazhdonte më tej studimet, ai udhëtoi nëpër Evropë për të parë botën. Me që rridhte nga një familje e pasur, ai kishte mundësi financiare për ta plotësuar këtë dëshirë.

Nga viti 1618 deri në vitin 1628 udhëtoi nëpër Evropë. Për një kohë të shkurtër shërbeu në tri ushtri të ndryshme (në holandezen, bavarezen dhe hungarezen ), por  nuk mori pjesë në asnjë luftë. Gjatë atyre viteve formuloi diçka, që sipas tij ishte metodë kryesore për të zbuluar të vërtetën. Në moshën 32 vjeç vendosi që ta shfrytëzonte metodën e tij për ta paraqitur lehtë dhe kuptueshëm figurën e botës. Ai u strehua në Holandë ku ndenji 21 vjet. E zgjodhi Holandën sepse kishte më tepër liri mendimi dhe nuk kishte argëtime të zhurmshme si në Paris.

Rreth vitit 1629 shkroi librin “Rregullat për pikësynimet e mendjes “, ku ekspozoi metodën e tij (Megjithatë, ajo ishte e paplotë, pasi nuk kishte qëllim për ta botuar. Vetëm pas më shumë se 50 vjet pas vdekjes së tij, ajo u botua e plotë). Nga viti 1630 deri në vitin 1634, duke shfrytëzuar metodën e tij, Dekarti studioi në mënyrë të hollësishme shkenca të ndryshme. Ai bëri prerje nëpër kadavra për të studiuar më mirë anatominë dhe fiziologjinë e njeriut. U mor me kërkime në optikë, meterologji, matematikë dhe në shumë fusha të tjera shkencore.

Dekarti kishte si qëllim që rezultatet e tij shkencore t’i paraqiste në librin “Bota” (Le Mond ). Por në vitin 1633, kur librin e kishte pothuajse gati për  botim, mësoi se krerët e kishës në Itali kishin akuzuar Galilein se propagandonte teorinë e Kopernikut, sipas së cilës Bota rrotullohet rreth Diellit. Edhe pse Holanda nuk ishte nën ndikimin e Kishës Katolike Romake, Dekarti e pa më të arsyeshme të mos e botonte librin, madje edhe vetë e mohoi teorinë e Kopernikut. Në vend të librit “Bota” në vitin 1637 botoi punimin e tij më të rëndësishëm me titullin “Mendime lidhur me metodën për pikësynime të drejta të të menduarit dhe zbulimi i të vërtetës së shkencës”.(Në mënyrë të shkurtuar thuhet “Të menduarit lidhur me metodën “ ).

Punimi u shkrua në frëngjisth dhe jo në latinisht, me qëllim që të lexohej nga të gjithë të shkolluarit, përfshirë edhe ata që nuk kishin arsimin klasik. Dekarti e kishte ndarë punimin në tri pjesë, ku jepte shembuj nga zbulimet, që kishte arritur me anën e metodës së tij. Në pjesën e parë “Optika” paraqiste ligjin e reflektimit të dritës (zbuluar shumë më parë nga Vilebront Snelius). Në këtë pjesë trajtonte veglat e ndryshme optike, shkruante për funksionimin e syrit dhe për dëmtimet e ndryshme të tij: paraqiste teorinë e dritës si një variant të hershëm të teorisë së dallgëve, që më vonë është formuluar nga Kristija Hyjgenc. Në pjesën e dytë të librit, përfshinte të dhënat e para për meteorologjinë. Aty trajtonte retë, shiun, erën dhe sqaronte drejt ylberin; hidhte poshtë mendimin se nxehtësia krijohet nga një rrjedhë e padukshme, duke dhënë përfundimin e drejtë se ajo ishte formë e lëvizjeve të brendshme. (Megjithatë, këtë përfundim e kishin nxjerrë më parë Frencis Bekoni dhe shkencëtarë të tjerë). Në pjesën e tretë të këtij punimi, me titullin “Gjeometria”, Dekarti shfaqte zbulimin e tij më të madh -gjeometrinë analitike. Ky ishte një sukses i madh për matematikën, që ia hapi rrugën Njutonit drejt matematikës së lartë.

Ndoshta, pjesa më interesante e filozofisë së Dekartit mund të jetë problemi i saktësisë në punën shkencore. Kur pa se gjatë përfundimeve studimore ekzistonin shumë pasaktësi, ai vendosi ta vetë nga e para për të arritur te e vërteta. Ai filloi të arsyente me vullnet të çeliktë për gjithçka kishte mësuar nga mësuesit, për të gjitha bindjet e tij të fshehura në vetëdije, për imagjinatat e mbështetura te mendimi i tij i shëndoshë, deri edhe për ekzistencën e botës së jashtme dhe ekzistencën e pronës. Me një fjalë për gjithçka.

Kuptohet, ky lloj arsyetimi të shpinte në një problem: si mund të kapërcehej dyshimi i përgjithshëm për të arritur në njohjen e vërtetë të gjithçkaje. Përmes një vargu argumentesh ai arriti të tregonte për ekzistencën e vetvetes (“Mendoj, do të thotë, ekzistoj, sepse ekziston Zoti dhe bota e jashtme”).Këto ishin saktësisë e teorisë së Dekartit.

Rëndësia e metodës së përdorur nga Dekarti është e dyanshme: Së pari, në qendër të sistemit të tij filozofik, ai vendosi problemin epistemologjik, vetëdijen.” Si është prejardhja e dijes njerëzore?”.

Filozofët e lashtë janë përpjekur të përcaktojnë natyrën e botës. Dekarti na mëson se kësaj çështjeje nuk mund t’i jepet përgjigje e saktë në qoftë se nuk lidhet me pyetjen “Nga e di ?”.

Së dyti, Dekarti sugjeronte se nuk duhej filluar nga besimi, por nga dyshimi.(Kjo binte në kundërshtim të drejtëpërdrejtë me pikëpamjet e Shën Augustit dhe të shumë teologëve të mesjetës,të cilët në plan të parë vinin besimin). Në të vërtetë, pas kësaj Dekarti vazhdonte të arrinte në përfundime të drejta teologjike. Megjithatë, lexuesit e tij i kushtuan më tepër vëmendje metodës që përdori sesa përfundimeve që arriti. Me filozofinë e tij Dekarti i kushtoi vëmendje ndryshimit, që ekziston midis shpirtit dhe çdo gjë tjetër materiale dhe, sipas kësaj pikëpamjeje, ai përgjithësisht mbrojti idenë e dualizmit. Për këtë ndryshim kanë folur edhe të tjerët, por artikujt e Dekartit kanë shkaktuar diskutime filozofike për këtë temë. Problemet që ai ngriti,gjithnjë u kanë interesuar filozofëve, e megjithatë ato ende nuk janë zgjidhur.

Përshtypje mjaft të fuqishme kanë lënë arsyetimet e tij për materialitetin e kozmosit. Ai mendonte se e tërë bota, me përjashtim të Zotit dhe shpirtit njerëzor, vepron mekanikisht dhe të gjitha dukuritë natyrore mund të shpjegohen me shkaqe mekanike. E pikërisht për këtë, Dekarti u tërhoq me vendosmëri nga astrologjia, magjia dhe nga gjithë format e tjera të besëtytnive. Gjithashtu ai u tërhoq, edhe nga sqarimet teologjike për shfaqjet e ndryshme të ngjarjeve (me fjalë të tjera, ndodhitë e ngjarjeve ai i shpjegonte përmes shkaqeve mekanike dhe jo për t’i shërbyer ndonjë qëllimi të largët). Nga pikëpamjet e Dekartit del se gjallesat janë makina të komplikuara, se edhe trupi i njeriut i nënshtrohet ligjeve të përditshme të mekanikës. Qysh atëhere e deri tani kjo ide është një nga idetë bazë në psikologjinë bashkëkohore. Dekarti besonte në kërkimet shkencore dhe ishte i bindur se nga zbatimi i tyre në praktikë, shoqëria vetëm do të fitonte. Ai mendonte që shkencëtarët duhet të përpiqen ta paraqesin botën përmes ekuacioneve matematike, duke u mënjanuar nga nocionet e paqarta. E tëra kjo tingëllon mjaft bashkëkohore. Megjithatë, edhe pse kryente eksperimente shkencore, ai nuk këmbëngulte në rëndësinë e madhe që kishin ato në shkencë. Filozofi i njohur britanik, Frencis Bekon, disa vite para Dekartit ka folur për domosdoshmërinë e eksperimenteve shkencore dhe për përfitimin që sjellin ato. Thënia shumë e njohur e Dekartit “Mendoj,do të thotë ekzistoj”, gjithashtu nuk ëhstë origjinale. Ajo është shprehur nga Shën Augustini, ndonëse me fjalë të tjera, qysh 1200 vjet më parë. Në vitin 1641, Dekarti botoi librin e dytë të njohur “Të menduarit”, ndërsa në vitin 1644, librin e tretë”Parime të filozofisë”. Këto dy libra, së pari u shkruan në latinisht, ndërsa në vitin 1667 u botuan të përkthyera në frëngjisht. Edhe pse Dekarti është autor i stërholluar, me stil të larmishëm, toni në veprat e tij tingëllon i vjetruar,si një skolastiku të mesjetës. Ndërsa vepra e Frensis Bekonit, që është lindur 35 vjet para tij, ende tingëllon shumë bashkëkohore. Siç del edhe nga vepra e tij, Dekarti besonte shumë te Zoti. Ai hiqej si katolik i mirë, por krerët e kishës nuk ia miratonin eksperimentet dhe ia kishin ndaluar veprat. Edhe në Holandën protestane, në atë kohë vendi më tolerant në Evropë, Dekarti pati probleme me pushtetarët dhe u akuzua si ateist. Në vitin 1649, Dekarti pranoi ftesën zemërgjerë të mbretëreshës suedeze, Kristina, për t’u strehuar në Stokholm e për t’u bërë mësuesi i saj privat. Këtu ai u kënaq me mjedisin e ngrohtë, por u pikëllua fort kur mori vesh se mbretëresha donte ta fillonte mësimin në orën 5 të mëngjesit. Ai u trembej studentëve se mos e vrisnin në këtë orë, gjë që ishte tentuar edhe më parë. U sëmur shpejt nga pneumonia dhe katër muaj pas vajtjes në Suedi, në shkurt të vitit 1650, vdiq. Dekarti nuk u martua. Ai kishte një vajzë të adoptuar, që i vdiq herët. Shumica e bashkëkohosëve e kanë kritikuar filozofinë e tij sepse karakterizohej nga një mënyrë të menduari të tërthortë. Disa filozofë të mëvonshëm kanë zbuluar pasaktësi në sistemin e tij. Por edhe sot, janë të paktë ata që e mbrojnë në përgjithësi teorinë e tij. Megjithatë, rëndësia e një filozofi nuk varet vetëm nga saktësia në sistemin e tij; më kryesorja është se idetë e tij ose më saktë idetë, që njerëzit përvetësojnë nga veprat e tij, kanë ndikim të madh. Së paku pesë janë idetë kryesore të Dekartit që kanë ndikuar fuqishëm në mendimin evropian:

a) pikëpamja mekanike për kozmosin;

b) qëndrimi pozitiv ndaj kërkimeve shkencore;

c) rëndësia e madhe e matematikës në shkencë;

ç) ideja, me anën e së cilës arrihet te e pabesueshmja;

d) vëmendjen me anën e së cilës filozofi ndriçon epistemologjinë.

Kur vlerësohet plotësisht rëndësia e Dekartit, nuk mund të mos pajtohesh me arritjet e tij shkencore sugjesitve dhe më konkretisht, me zbulimin e gjeometrisë analitike.      Pikërisht, kjo më nxiti që Dekarti të vlerësohet më lart se Volteri, Rusoi dhe Frencis Bekoni.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Mikelanxhelo.