Haradinaj e quan të korruptuar Specialen: Tash e tutje do flas vetëm përmes avokatit tim

0
85

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Nasim Haradinaj, i akuzuar nga Gjykata Speciale për pengim të punës së saj, në fjalën e tij para Speciales që po mbahet në Hagë, e ka quajtur të korruptuar prokurorinë e kësaj gjykate.

“Po bindem se është edhe e korruptuar kjo Prokurori, pasi ndryshe nuk do të mund të dilnin gjithë ato dokumente nga këtu”, tha Haradinaj gjatë seancës.

“Për mua dhe për këdo që ka vetëm një pikë logjikë, nuk ka si kuptohet ndryshe vetëm se kjo Prokurori do të heq vëmendjen e opinionit nga vetja dhe të kërkojë fajin diku tjetër. Për ta, Kosova dhe qytetarët e saj janë fajtorë kujdestarë”.

“Ne duhet të përgjigjemi ne pse dolën sekretet nga këtu dhe u sollën mijëra kilometra në zyrat tona, nuk ishin një as dy fletë, por mijëra fletë. Organizata e veteranëve nuk ka pas qasje, por në vend timin është dashur të ishin kolegët e kësaj prokurorie apo edhe ndonjëri nga vetë këta. Nga ne dhe qëndrimet tona s’keni çka pritni ose befasoheni. Kjo gjykatë është politike, selektive dhe njëanshme, por tani me veprimet e tyre po bindem që është edhe e korruptuar”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj shtoi se kjo Gjykatë po mundohet të njollosë luftën e UÇK-së dhe luftëtarëve të saj dhe të dënojë përfaqësuesit e këtyre luftëtarëve.

“Gjithë këto i thash, duke kundërshtuar juridiksionin dhe tani edhe keqpërdorimin e mandatit kohor të kësaj prokurorie. Nga sot, deklarohem haptazi, se unë nuk do të flas, por vetëm përmes avokatit”.