Personaliteti i cili përpunoi me sukses praktikën e parë të fotografimit

0
120

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 47 me rradhë ka Lui Dager.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXXVII- Lui Dager

(1787-1851)

Lui Dager është njeriu që nga fundi i viteve ’30 të shek.XIX përpunoi me sukses praktikën e parë të fotografimit. Ai është lindur në vitin 1787 në Kormej, në Francën veriore. Në rini ishte piktor. Në moshën 35-vjeçare krijoi të ashtuquajturën dioramë, një seri pikturash panoramike fantastike të ekspozuara me efekte drite speciale. Ndërkohë, filloi të merrej me përpunimin e një mekanizmi, që riprodhonte pikturat automatikisht, pa furçë dhe bojë, me fjalë të tjera, me përpunimin e një lloj kamere. Provat e para për ndërtimin e një aparati të tillë nuk i dolën me sukses. Në vitin 1827 u njoh me Xhozef Nisefor Nieps. Edhe ai përpiqej për ndërtimin e një “kamere” të tillë. Dy vjet më vonë filluan të bashkëpunonin. Në vitin 1833 Niepsi vdiq, por Dageri nuk u dorëzua para qëllimit që i kishte vënë vetes. Në vitin 1837 hartoi me sukses një metodë praktike për të fotografuar, që u quajt dagerotipi. Në vitin 1839, pa e patentuar, Dageri e publikoi hapur metodën e tij. Si përgjigje, qeveria franceze u lidhi atij dhe djalit të Niepsit pension të përjetshëm. Publikimi i këtij zbulimi shkaktoi sensacion të madh. Dageri u bë hero i ditës, u mbulua me lavdi dhe nderime. Dagerotipia gjeti menjëherë zbatim të gjerë. Pas kësaj, Dageri nuk punoi më. Vdiq në vitin 1851 në shtëpinë e tij, pranë Parisit. Pra, fotografia është një nga zbulimet e pakta, që kanë gjetur përdorim kaq të gjerë. Praktikisht, ajo përdoret në çdo fushë kërkimore-shkencore ; përdoret në industri dhe ushtri. Për ndonjë ajo është kulturë serioze, ndërsa për miliona njerëz, hobi. Fotografitë sjellin informacione (ose dizinformacione) si gjatë procesit të mësimit dhe edukimit, ashtu dhe në gazetari dhe propogandë. Madje, fotografitë na e kujtojnë të gjallë të kaluarën, ato janë shndërruar në dhuratat më të përhapura. Kuptohet, kinematografia është krijimtaria e rëndësishme plotësuese e zhvilluar që përdoret kryesisht për argëtim, por në të njëjtën kohë gjen përdorim të gjerë edhe fotografia. Nuk ka zbulim që të jetë rezultat i punës së vetëm një njeriu. Kështu, edhe në këtë rast janë përpjekjet e hershme të shumë njerëzve, që ia shtruan rrugën Dagerit për të arritur në këtë zbulim. E ashtuquajtura Kamera Opskura (një aparat i ngjashëm më kamerën bashkëkohore, por pa film ) është ndërtuar së paku 8 shekuj para Dagerit. Në shekullin XVI, Xherolamo Kardano bëri një hap të madh përpara kur në hapësirën e Kamerës Opskura vendosi lente. Me këtë, kjo kamerë u bë pararendëse interesante e kamerës bashkëkohore. Megjithatë, fotografia e nxjerrë prej saj nuk ishte e qëndrueshme. Kamera e Kardanos mezi mund të vlerësohet si aparat fotografik. Në vitin 1727, një zbulim të rëndësishëm ka bërë Johan Shulc, i cili shënoi ndjeshmërinë e dritës ndaj nitratit të argjendit. Ai e përdori atë për të krijuar disa fotografi pak të qëndrueshme, por nuk ia arriti qëllimit.
Pararendësi, që arriti më pranë zbulimit të Dagerit, ishte Nisifor Nieps-i , që më vonë u bënë bashkëpuntorë. Rreth vitit 1820, Niepsi zbuloi ndjeshmërinë e një forme dylli të zi ndaj dritës. Kur e lidhi ndjeshmërinë e dritës me materien në kamerën e errët, Niepsi arriti të prodhonte me sukses fotografitë e para në botë. Prandaj, disa mendojnë se NIepsi duhet të njihet si zbuluesi i fotografisë. Megjithatë, mënyra e tij për prodhimin e fotografive nuk ishte aspak praktike, se duheshin 9 orë punë për të arritur një rezultat të ngjashëm me atë të një fotografie të mjegulluar. Me dagerotipinë, fotografia regjistrohet në një pllakë të lyer me jodur argjendi. Për ekspozim duhen 15-20 minuta. Kjo metodë, edhe pse është e vështirë, është më e saktë për përdorim praktik. Dy vjet pas shpalljes së metodës së Dagerit, njerëz të tjerë propozuan ndryshime të vogla: si material më i ndjeshëm ndaj dritës u propozua jo joduri, por bromuri i argjendit. Ky ndryshim i vogël dha rezultate të mëdha. Në mënyrë të dukshme u shkurtua koha e ekspozimit dhe u bë praktikisht i mundur fotografimi i portreteve.
Menjëherë pas publikimit të zbulimit të Dagerit, në vitin 1839, shkencëtari anglez Uilliam Henri Foks Talbot publikoi një metodë të ndryshme fotografimi, atë me negativ, ashtu siç veprohet edhe sot. Duhet kujtuar se fotografitë e tij të para Talboti i realizoi në vitin 1835, pra dy vjet përpara dagerotipisë së parë. Talboti, i cili ende merrej me disa projekte, nuk e kishte parë si të domosdoshëm vazhdimin e eksperimenteve fotografike. Përndryshe, me siguri, ai do të kishte arritur përpara Dagerit të realizonte aparatin e saktë fotografik dhe sot ai do të vlerësohej si zbuluesi i tij. Në vitet pas Dagerit dhe Talbotit, fotografia është përmirësuar shumë. Ajo realizohet me: pllaka të njoma, pllaka të thata, film në rulo, fotografi me ngjyra, kinofilm, polaroid dhe kserografi. Edhe pse kanë marrë pjesë shumë veta në krijimin e aparatit fotografik, Luj Dageri mendohet se është më kryesori. Përpara tij nuk ka pate teknikë fotografike reale, ndërsa dagerotipia ishte praktike dhe pothuajse gjeti zbatim të gjerë. Është e vërtetë se praktika e sotme fotografike ndryshon shumë nga ajo e dagerotipisë. Në qoftë se nuk do të ekzistonte praktika e sotme, sigurisht që dagerotipia do të mundësonte metodën zbatuese për fotografime.

 

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Simon Bolivar.