Dëgjohen edhe dy dëshmitarë në gjykimin e serbit të akuzuar për krime lufte në Lipjan

0
110

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është dëgjuar R.G., në cilësi të dëshmitarit në gjykimin e serbit Goran Stanishiq, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për krime lufte ndaj popullsisë civile në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit, raporton Drejtësia Sot.

Dëshmitari R.G., tregoi se më 15 prill 1999, kishin hyrë dy persona në shtëpinë e tyre në fshatin Sllovi, duke ju kërkuar që të gjithë anëtarët të familjes që të dalin nga shtëpia e tyre.

Të njejtit sipas dëshmitarit i kishin urdhëruar që të dilnin nga shtëpia dhe të nisen për në fshatin Tërbovc, ku gjatë rrugës janë ndaluar nga forcat serbe dhe sipas dëshmitarit i kanë ndaluar F. K., dhe G. K.

Tutje dëshmitari tha se të njejtit janë vrarë nga forcat serbe, pasi që i kishte dëgjuar të shtënat e armëve.

Rrëfimin e tij e vazhdoi duke thënë se në të njejtën dite forcat serbe kishin ndaluar edhe kushëririnë e tij B. G., të cilin po ashtu e kishin vrarë.

Ndërsa në raport me të akuzuarin Goran Shtanishiq, dëshmitari tha se e ka parë në ditën kritike me prindin e tij, duke urdhëruar që të vazhdojnë në drejtim të fshatit Smallush.

Me të përfunduar dëshminë B. G., gjykimi vazhdoi me marrjen në pytje të dëshmitarit F. G., vetëm nga prokurorja Drita Hajdari, kurse mbrojtësi i të pandehurit Stanishiq, avokati Lubomir Pantovic, deklaroi se nuk ishte përgatitur për të marrë në pytje dëshmitarin F. G., në gjykimin e sotëm.

Duke u bazuar në këtë situatë, gjyqtari i çështjes Valon Kurtaj, ndërpreu gjykimin e sotëm për të vazhduar neser më datë 10.12. 2020, në ora 09:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga prokurorja speciale Drita Hajdari, Goran Stanishiq akuzohet se si pjesëtarë i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, në muajin prill të vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake, paramilitare dhe policore serbe, kundër popullatës civile shqiptare në dy fshatra të komunës së Lipjanit, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.

Me këto veprime, Prokuroria po akuzon atë se ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës nga neni 146 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.