ZRrE i jep leje 40 vjeçare KELKOS-it për prodhim të energjisë me dy hidrocentrale

0
112

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në mbledhjen e mbajtur sot ka marrë vendim që kompanisë KEKLOs t’i japë leje për prodhim të energjisë për 40 vjet me kushtin që ta ripërtërijë lejen mjedisore në kohëzgjatje brenda pesë viteve.

Me tri vota për dhe një kundër ky propozim i ZRrE ka kaluar duke i dhënë lejen kompanisë KELKOS që të prodhojë rrymë me hidrocentralet Belaja dhe Deçani.

Përfaqësuesi ligjor i ZRrE-së, Afrim Ajvazi ka thënë se nuk ka harmonizim të ligjeve në Kosovë sa i përket lejeve dhe licencave që i ka marrë ky operator.

“Kjo është një specifikë që është ngrit që disa vjet që legjislacioni nuk është i harmonizur mes vete. Nuk është vetëm leja mjedisore që është 5 vjeçare, është kontrata e përdorimit të pyllit është 5 vjeçare e leja ujore është 40 vjeçare. Ne me ligjin për ZRrE që licenca për gjenerator të lëshohet referuar aseteve të ndërmarrjeve, bile po e citoj ligjin ‘Varësisht nga jetëgjatësia, leja e aseteve të përdoruar në kryerjen e aktivitetit relevant në kohëzgjatje që nuk mund të kalojë kohëzgjatje 40 vjeçare’ dhe duke e pasur parasysh që pajisjet janë gjitha të reja ne kemi propozuar të lëshohet licenca për këtë periudhë për këtë periudhë. Për vazhdimin e lejes mjedisore janë procesura të tjera dhe investitori nuk i nënshtrohet procesit nga fillimi por një process më i lehtë. Por fatkeqësisht ne kemi thënë që obligohet ndërmarrja që të sjellë një dokuent të cilat mund të kenë ndikim në validitetin dhe periudhën e vlefshmërisë së licencës ia kemi bërë me dije që nëse i kalon ne si ZRrE duhet të ndërmarrim masa. Fatkeqësisht ka joharmonizim në mes të afateve që siguron ky investitor.

Kryesuesi i Bordit të ZRrE, Arsim Janova ka thënë se leja mjediore për këto dy hidrocentrale duhet të ripërtërihet në afat prej 5 vitesh aq sa ka kohëzgjatje leja mjedisore e marrë nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

“Dmth është e qartësuar se nëse nuk e përtërinë lejen mjedisore për pesë vite atëherë duhet t’i ndërprehet operimi, tha Janova.
Besim Sejfijaj, anëtar i bordit të ZRrE ka propozuar që leja për prodhim të energjisë t’i jepet KELKOS-it në afat prej 5 vjetësh, aq sa e ka edhe lejen mjedisore për dy hidrocentrale nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

Por, ky propozim nuk e ka marrë mbështetjen e anëtarëve të tjerë të bordit.
Arsim Janova, Selman Hoti dhe Izet Rushiti kanë votuar pro propozimit për dhënien e lejes në kohëzgjatje prej 40 vjetësh.
Në anën tjetër, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka mohur se i është dhënë leja mjedisore kompanisë Kelkos Energy për prodhimin e energjisë elektrike nga dy hidrocentralet në Grykën e Deçanit.

Kuçi ka thënë se kjo kompani nuk i ka plotësuar ende disa kushte.

“ Kelkos me sa e di unë jo sepse është në proces ka me i plotësu disa kushte të caktuara, ne ende nuk i kemi dhënë leje. Në moment kur i plotëson por deri më tani nuk i ka plotësuar”, tha ai.

KELKOS-it i ishte ndalur prodhimi i energjisë elektrike më 14 tetor në tre hidrocentrale te Gryka e Deçanit dhe pas një muaji, në mbledhjen e sotme që pritet të fillojë nga ora 9:30 do të diskutohet pajisja e këtij investitori me leje për prodhimin e energjisë elektrike./kallxo.com