Dëgjohet pala e dëmtuar dhe një dëshmitare tjetër në gjykimin e serbit të akuzuar për krime lufte në Lipjan

0
62

E dëmtuara Gj. H., dhe dëshmitarja F. K., janë dëgjuar në cilësi të dëshmtareve në gjykimin e mbajtur sot në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër Goran Stanishiqit, i akuzuar për krime lufte ndaj popullsisë civile në Lipjan, raporton Drejtësia Sot.

Fillimisht e dëmtuara Gj. H., është marrë në pytje nga prokurorja speciale Drita Hajdari, e cila i kërkuar Gj. H., që të rrefejë ngjarjen e datës 15 prill të vitit 1999.

Duke u bazuar në këtë pytje, e dëmtuara Gj. H., tregoi se në ditën kritike të datës 15 prill të vitit 1999, kishte qenë në shtëpi të familjes së saj në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit.

Më tej, ajo shtoi se po në të njejtën ditë fshati në fjalë ishte rrethuar nga forcat serbe të fshatit të tyre dhe të njejtit sipas dëshmitarës kanë gjuajtur me armë zjarri dhe kanë kërkuar nga banorët që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Duke rrëfyer ngjarjen e ditës kritike, ajo tregoi se pesë persona të veshur me uniforma policore kanë hyrë në oborrin e shtëpisë dhe i kanë nxjerrë të gjithë anëtarët e familjes nga shtëpia.

Pastaj ajo tha se i kanë ndarë burrat nga gratë duke i renditur në rresht, e më pas sipas dëshmitares tani i akuzuari Goran Stanishiq ka gjuajtur rrafall në drejtim të tyre duke i lënë të vdekur në vend, dy vëllezërit e të dëmtuarës, djalin e saj B.H., dhe djalin e vëllaut të saj.

Ndërsa për vrasjen e babait të saj, ajo tha se e kanë nxjerr më vonë nga shtëpia dhe pasi i kanë lidhur duart dhe këmbët e kanë vravë në të njejtin vend ku i kishin vravë burrat e tjerë të familjes.

Pas kësaj ngjarje, ajo tregoi se ishte larguar së bashku me nënën e saj në drejtim të vendit të quajtur lugu i Demës, e që prej këtij vendi janë shpërngulur për në fshatin Smallush, në të cilin fshat kishin qëndruar shtatë ditë.

Me tu kthyer në shtëpi të tyre pas shtatë dite, ajo tha se ishin njoftuar se kufomat e familjarëve të tyre ishin sjellë në objektin e shkollës së vjetër të fshatit Sllovi, ku nëna e saj kishtë bërë indentifikimin e tyre.

Këtë dëshmi e ka ballafaquar në tërësi mbrojtësi i të akuzuarit Stanishiq, avokati Lubomir Pantoviq, duke kërkuar nga dëshmitarja të sqarojë se pse në deklaratat e vitit 2000 dhe 2005 të dhëna para hetuesve të UNMIK, nuk është përmenduar emri i tani të akuzuarit Stanishiq.

Lidhur me këto ballafaqime Gj. H., tha se të gjitha ato që i ka thënë në gjykimin e sotëm i ka thënë edhe para hetuesve ndërkombëtar.

Gjykimi vazhdoi me dëshmitaren tjetër F. K., e cila tregoi për vrasjen e bashkëshortit të saj F.K., nga forcat paramilitare serbe.

Ajo tha se po në të njejtën ditë ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe duke ikur me familjen e saj, ishin ndalur nga forcat serbe të cilat i kishin rrëmbyer burrin F. K., dhe e kishin futur në oborrin e shtëpisë së një kojshiu të quajtuar Habib. Ndonëse nuk e kishte parë, ajo tha se janë dëgjuar krisma prej të cilave ajo mendon se është vrarë bashkëshorti i saj F. K.

Në fund të deklaratës, ajo shtoi se nga forcat serbe ishte vrarë edhe R. K., të cilin serbët e kishin marrë nga traktori me të cilin ishin duke u larguar nga fshati Sllovi.

Me të përfunduar dëshmitarët e paraparë që të ndëgjoheshin për seancën e sotme, gjyqtari i çështjes Valon Kurtaj, ndërpreu gjykimin për të vazhduar neser më datë 13 nëntor 2020, në ora 09:00, me dëgjimin e dëshmitarëve tjerë të Prokurorisë Speciale.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Goran Stanishiq akuzohet se si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, në muajin prill të vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake, paramilitare dhe policore serbe, kundër popullatës civile shqiptare në dy fshatra të komunës së Lipjanit, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.

Me këto veprime, Prokuroria po akuzon atë se ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës nga neni 146 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.