Njihuni me Xhejrane Lokaj, mami dhe aktiviste që kaloi nëpër shumë beteja

0
525

Ajo është mamia më e njohur në Kosovë, një aktiviste e fuqishme për të drejtat e njeriut dhe barazi gjinore, është përballur me kancerin në gji, e ndër më të rëndësishmet, ajo ka tejkaluar ‘rregullat’ që dëmtojnë njerëzit dhe nuk mund të shkollohen.

Është Xhejrane Lokaj, e lindur në një fshatë të Deçanit, punoi në Dragash për 42 vite me radhë, banoi atje, në Prizren e edhe në Pejë. Njeh secilën rrugë por edhe secilën shtëpi në Dragash.

Ka rrëfyer në emisionin OXYGEN gjithçka nëpër të cilën ka kaluar, me qëllimin e vetëm që të ndikojmë te shoqëria për vetëdijesim rreth rëndësisë së arsimimit të vajzave, rreth rëndësisë së profesionit të mamisë dhe rreth rëndësisë për tu informuar sa më herët për sëmundjet dhe për tu kontrolluar që t’i parandalojmë.

Më 26 tetor 2020 ajo u pensionua si mami dhe pavarësisht që është e aftë për të punuar ende, ajo thotë se duhet liruar vendet e punës të rinjve.

*

U lind dhe u rrit në fshatin Pobergj, ishte vetëm 13 vjeçe kur iku nga shtëpia dhe shkoi në Stacionin Policor. Deri atëherë, kishte kërkuar të shkollohej por vajzat në familjen e saj nuk lejoheshin. Ajo nuk u ndal para ëndrrave të saj, shkeli të ashtuquajturat rregulla dhe iku.

Policia ia mundësoi që të banonte diku tjetër, ndërkohë në familjen e saj mblidheshin burrat për ta dënuar për veprimin që bëri. U kërkua edhe vrasja e saj, por fatmirësisht nuk ndodhi.

Ajo vazhdoi shkollimin, dikur familja u pajtua, pastaj u bë shembull që të tjerat të lejoheshin të arsimohen.

Mësoi shumë, vuajti shumë nga paragjykimet por kurrsesi të pajtohej me trajtimin që u bëhej vajzave në atë kohë.

Për të është bërë edhe një dokumentar që titullohet “Zoti i shpisë”.

“Nuk u besonin vajzave, në asnjë formë. Nuk pyetej vajza apo gruaja për asgjë. Ishte një mur i hekur, duhej me qenë e fortë me hap një derë në të. Kam shkru, kam bërë punë dore e shumë të tjera punë, paret normalisht që nuk i shihnim as nuk i njihnim. Nuk jam kundër punës, as kundër krijimit të familjes, por jo të diktuara nga të tjerët”, thotë Xhejrane Lokaj.

Fati deshi që ajo të punësohej si mami në Dragash. Atje u mishërua me atë vend.

Takoi secilën grua, ndihmoi në secilën lindje, këshilloi të gjitha ato por nuk u ndal vetëm aty.

Ajo hapi edhe organizatë për arsimimin e vajzave, për të drejtat e njeriut e edhe për barazi gjinore. Edhe sot nuk ndalet me ato aktivitete.

Profesionin e mamisë e ka pjesë të jetës. E brengos fakti që ky profesion nuk e ka vendin që meriton.

Shpresat e Zhejrane Lokajt janë që Shoqata e Mamive të Kosovës do e fuqizojë rolin e mamisë.

“Mamisë shpresoj kanë me ja dhanë emrin mami, vlerat, ligjërisht me u njoftë, jo me mbet nën hije. Magbule Elezi që udhëheqë Shoqatën kam besim të madh që do i bënë këto. Ajo nuk e ka aspak lehtë por është e vendosur”, thotë Lokaj.

Në borë, në rrugë të bllokuara në mes malesh ajo ndihmonte gratë gjatë lindjeve nëpër shtëpi.

Është edhe e mbijetuar e kancerit në gji. Ka kaluar shumë operacione dhe thotë se është sfidë e rëndë.

“Për fat te keq shumë gra kemi të prekura me kancerin në gji. Është shumë e dhimbshme. Unë nuk dua të trajtohem si ‘gjynah’ apo viktimë. Nëpër fshatra janë mundësitë më të kufizuara. Duhet bërë kontrolla të rregullta edhe kur nuk ke simptoma, e aq më shumë kur fillojnë simptomat. Duhet mamograf por edhe kuadro njerëzore”, thotë ajo.

Vazhdon me këshillat e saj. Se nuk duhet detyruar vajzat të bëjnë veprime që mund të lëndojnë të tjerët, kur kërkesat e tyre nuk e dëmtojnë askënd, por janë të drejtat e tyre.

Ajo këshillon të besohet më shumë të vajzat dhe gratë, të përkrahen ato, qoftë në familje apo në punë, të mos keqpërdoren në asnjë formë dhe të zhvillohet shoqëria dhe edukohen.

Nuk është penduar asnjëherë për ato që ka bërë, e sa i përket martesës thotë se është frikësuar./oxygenpress.info