Hoti: Po vazhdojmë me zgjerimin e rrjetit të ujit të pijes dhe rrjetit të ujitjes për toka bujqësore

0
51

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka kryesuar takimin e 11-të të Këshillit Ndërministror për Ujërat, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, zëvendësministri i Shëndetësisë, Pjetër Ndou, si dhe ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.

Kryeministri Hoti, fillimisht falënderoi vendet donatore, veçmas Zvicrën dhe Gjermaninë, që e kanë ndihmuar zhvillimin e sektorit të ujërave në vendin tonë, me ç‘rast theksoi përkushtimin maksimal të Qeverisë për sektorin e ujërave, si një sektor tepër i rëndësishëm.

Më tej, në këtë takim u miratua rekomandimi i Studimit të Fizibilitetit për ndërtimin e kanalit të Lepencit dhe digave në Firajë dhe Shtime në dy faza, mbi bazën e të cilit do të aplikohet në rundin e radhës të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF) për dizajnin preliminar, vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe social, si dhe përgatitjen e dosjes së tenderit të këtij projekti, përmes të cilit do të sigurohet uji i pijshëm për rajonin e Gjilanit, Ferizajt dhe Prishtinës.

Pastaj, u bë edhe miratimi i Kornizës së Investimeve – Master Planit për Ujitje si një projekt i rëndësishëm strategjik i cili do të ketë ndikim të madh në sektorin e bujqësisë, përmes të cilit do shtohet mbulueshmëria e ujitjes së tokave bujqësore.

Ndër të tjera u shqyrtua qasja për vendosjen e caqeve dhe treguesve të performancës për Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve dhe Kompanive Rajonale të Ujitjes, me qëllim të përmirësimit të qeverisjes korporative të këtyre ndërmarrjeve.

Po ashtu, u diskutua edhe gjendja aktuale e projekteve në sektorin e ujërave për të cilin u kërkua të bëhet një analizë me e hollësishme, si dhe u miratuaan rekomandimet sa i përket Raportit për Financimin e Borxhit Ndërkombëtar për Investime në Infrastrukturën Ujore të Kosovës – Aspekti Ligjor dhe Ekonomik”.

Në kuadër të diskutimit ishte edhe shqyrtimi i zbatimit të dispozitave të ligjit për ujëra, ku Këshilli mori vendim që të kërkojë nga institucionet përgjegjëse raport për zbatimin e ligjit.