Sërish mungon Shukri Buja dhe Nebih Zeqiri, ndërpritet gjykimi në rastin Ferronikeli

0
90

Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, sërish ka dështuar të mbahet rigjykimi ndaj ish- kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Bujës dhe të tjerëve të cilët po gjykohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Arsye për ndërprerjen e kësaj seance ishte sërish mungesa e të akuzuarve Shukri Buja dhe Nebih Zeqiri.

Avokati Arianit Koci, mbrojtës për të akuzuarin Shukri Buja, nëpërmjet telefonit kishte njoftuar kryetarin e trupit gjykues Beqir Kalludra, se i mbrojturi i tij nuk ka mundur të paraqitet në seancë për arsye shëndetësore.

Ndërkaq i akuzuari Nebih Zeqiri, kishte dorëzuar pranë kësaj gjykatë një raport mjekësor të lëshuar nga Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj, i cili provon se i njejti për shkak të gjendjes se rëndë shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm në seancën e sotme gjyqësore.

Në mungesë të kushteve ligjore, kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra, ndërpreu seancën e sotme duke caktuar seancën e radhës me datë 15 shtator me fillim nga ora 09:00.

Kujtojmë se edhe seanca e kaluar e datës 09 shtator ishte nderprerë pasi që edhe pas lëshimit të urdhërit për sjellje të detyrushme ndaj të akuzuarit Shukri Buja, Policia e Kosovës nuk kishte arritur të siguronte prezencën e tij në gjykim.

Ndryshe ky rast është kthyer në rigjykim në Departamenti për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku Shukri Bujës dhe 9 personave të tjerë po akuzohen se kanë marrë veprime të kundërligjshme lidhur me shpronësimet, eksproprijimet e tjetërsimet e pronave shoqërore e komunale në dobi të “New Co Ferronikel Complex L.L.C”./DrejtesiaSot