SHËN TEREZA, NJË SHKENCË ORIGJINALE MBI NJERËZIMIN

0
102

Nga Dijana Toska

Gonxhja në rininë e saj u nis drejt botës e armatosur denjësisht me vlerën – të jesh qenie njerëzore është e thjeshtë, të jesh njeri është e vështirë.
Gjëja e parë që mësoi në Kalkutë ishte injorimi, trishtimi, vdekja, rrethimi me shumë rreziqe, e me shumë të papritura për një vajzë të varfër që as ishte mjeke, as politikane, veq empatisë që posedonte e që e ofronte në shërbim të njeriut tjetër kushdo qoftë ai.
Mirëpo, edukata e shëndoshë bashkë me virtytet morale që trashëgoi nga Nana Drane e Baca Kolë, e brumosin Gonxhe Bojaxhiun me tiparet e begatisë shpirtërore e humane, të cilat i japin një vullnet hyjnor për ti harmonizuar marrëdhëniet më të ndërlikuara shoqërore me ato individuale. Me besim të plotë dhe guxim, diplomaci e vetëflijim, duke dhuruar dashuri deri në dhimbje, ajo arriti të shijoj jetën në mënyrë revolucionare, sepse këtë jetë po e kërkonte si obligim qenësor.
Me këtë kapital të trashëguar nga tradita e familjes Bojaxhiu, ajo kishte filluar ta ndërtojë perandorinë e saj dhe me hapa të sigurtë të ndërtojë një shkencë origjinale mbi njerëzimin të bazuar mbi dashurinë dhe parimet universale.
Nënë Tereza i shpalli luftë në mënyrë unikale botës materiale, shoqërive agresive, injorancës, imoralitetit, duke kërkuar një mënyrë tjetër të mendimit dhe ndërgjegjjes qytetare, kërkonte shoqëri të barabartë për të varfërit e saj, ushqim të mjaftueshëm, ilaçe për lebrozët e të harruarit edhe nga vetë Zoti. Sëmundja më e madhe sot nuk është kanceri e as lebroza, por indiferenca dhe mungesa e interesimit, mosrespekti e përbuzja jonë, thoshte ajo. Prandaj, vetëm atëherë kur të pasurit do të ndajnë pasurinë e tyre me të varfërit dhe të kuptojnë se sa e bukur dhe e madhërishme është thjeshtësia, do të përjetojnë lumturi dhe, padrejtësia do ti lëshojë udhë të jetuarit me dinjitet.
Ku e mbështte këtë fuqi hyjnore kjo grua imcake e rebele, si arriti të bëhet një nga njerëzit më me ndikim në botë, si arriti që perandorinë e saj të dashurisë ta imponoj si model dhe udhërëfyes të besimit dhe frymëzimit, para së cilës filluan të përkulen, presidentë e mbretër të perandorive më të fuqishme botërore, ndërkohë që Selia e Shenjt për herë të parë në historinë e ekzistencës së sajë, po pranonte një grua të vendos rregulla të reja në Vatikan, duke i lejuar themelimin e një kongregacioni fetar katolik, Misionarët e Bamirësisë. Besimi që fitoi në botë me mënyrën unike të dhuruarit të vetvetes në shërbim të njerëzimit, me figurën e saj modeste në të gjitha aspektet i dëshmoi botës se fuqia e dashurisë njerëzore është çelësi i cili mund ta shpëtojë njerëzimin dhe ta bëjë botën vend më të bukur për të jetuar.
Nënë Tereza nuk e kërkoi lavdinë, ia dhanë të varfrit e saj. Ajo ndërmjetësoi një armëpushim midis ushtrisë izraelite dhe guerilëve palestinez për të shpëtuar 37 fëmijë të bllokuar në një spital dhe mori epitetin e gjeneralit të paqës, ajo ndërtoi Shanti Nagarin, qytetin e paqës. U dekorua me çmimet më prestigjioze në botë, për promovimin e njerëzimit, paqës dhe vëllazërimit midis popujve, u shpall Doktor Nderi, mori edhe Çmimin Nobel për Paqë. Poezitë e saja janë vetë paqja në botë, janë Kombet e Bashkuara që i japin dritë unit universal.
Në shtëpi fillon shkatërrimi i paqes së botës, do të deklarojë Nënë Tereza pas shtatëdhjetë vite ndihmë ndaj njerëzimit, duke provokuar dhe sensibilizuar botën për rëndësinë e familjes.
Edukimi për të nuk ishte përgatitje për jetë, por ishte vetë jeta dhe arma më e fuqishme e cila luftonte për iluminim njerëzor dhe dashurinë ndaj njëri tjetrit.
Kulti i dashurisë njerëzore kërkon gjetjen e formulës humane duke filluar nga familja dhe oxhaku i shtëpisë, sistemit të normave dhe vlerave njerëzore, burimit të autoritetit etik e moral, të mirës supreme dhe feve humaniste të cilat adhurojnë njerëzimin dhe mbrojnë tezën se njeriu ka një natyrë unike dhe të shenjtë.
Ipni shpresë kësaj bote të lodhur e të përçarë me aventurat më të bukura duke u bërë veprimtar të paqes“, tha Papa Francesku gjatë vizitës, vitin e kaluar në Shkup.
“Kur gjithçka duket e palëvizshme, e amullt, kur problemet personale të shqetësojnë, situata shoqërore nuk të jep përgjigjen e duhur, nuk është mirë të dorëzohesh! Ëndërroni ëndrra të mëdha që i japin shpresë botës së lodhur. Të plakur para kohe! Endërroni, së bashku, të krishterë e myslimanë, ëndrrën e vëllazërimit ndërmjet gjithë kombeve, gjithë të rinjve, gjithë njerëzve“, ishte porosia e Atit të Shenjtë.
Na pret një punë kolosale si komb që me veprat tona ti japim dimensione të reja vlerave dhe virtyteve njerëzore sidomos tani pas pandemisë e cila po hap një kapitull të ri për jetën e çdo familjeje në rruzullin tokësor. Kjo punë fisnike do të ishte një frymëzim i ri për secilin prej nesh për ta ndjekur rrugën që trasoi Nënë Tereza e pa të cilën jeta nuk ka kurrfarë kuptimi.

SHENJTËRIMI I NËNË TEREZËS
(4 shtator, 2016, Vatikan)
Me Himnin e Nënë Terezës, për herë të parë kombi shqiptar e faleminderoi bijën e saj për lavdinë universale që na e fali në një rast historik të papërsëritshëm në Vatikan, falë identifikimit si populli i të Shenjtes Nanë.
Bijtë e kombit të saj përmes zërit të ndërgjegjes u mblodhën si kokrrat e shegës nëpër botë dhe përmes kësaj vepre artistike në qytetin e përjetshëm në Romë manifestuan shkëlqimin që bartë civilizimi i një populli të lashtë.
Miliona njerëz në botë ndoshta për herë të parë patën rastin ta dëgjojnë gjuhën e ëmbël amtare të Nanës Tonë, përmes poezis ‘’Lamtumirë’’, që e shkroi me dorën e vetë të njomë në gjuhën shqipe dhe përmes këti testamenti moral të njerëzimit që bijtë e bijat e saj e bënë si dëshmi e dashurisë sonë ndaj njerëzimit, paqës e tolerancës.
Himni i Nënë Terezës tani më është shndëruar në institucion mbarkombëtar që bartë me vete edhe vulën e një pulle postare të vlerësuar me çmimin e parë në botë.
Kur më 2016 u emetua kjo pullë postare dedikuar Shenjtërimit ishte një sukses i ditës, ndërsa sot ajo paraqet gjurmë të kohës, identitetit, dinjitetit, historisë e gjeografisë e cila shtrihet jashtë kufijve, merrë kuptimin polidimensional dhe të bënë krenare, kur një ditë, përmes urave lidhëse që ka ndërtuar misioni i filatelisë, jeta rastësisht të ballafaqon me autorësinë tënde, diku edhe përtej oqeanit.
Kur një gazetar nga Londra e kishte pyetur se si mund ti ndihmonte Nënë Terezës në Kalkutë?
Ajo i ishte përgjigjur: Biri im, e ke pyetur ndonjëherë veten se çka bëhet me Kalkutën e Londrës tënde?
“Kalkuta ndodhet në qytetin tënd, shumë afër teje, mos eja ta kërkosh kaq larg”.