Drejtori i shkollës e vlerësoi si oligofren (mendjedobët), ky personalitet bëri 1000 shpikje të ndryshme

0
99

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 35 me rradhë ka Tomas Edison.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXV- Tomas Edison

(1847-1931)

Shpikësi i gjithanshëm, Tomas Alva Edison është lindur në vitin 1847 në Majlen të Ohajos, në SHBA. Në shkollë vajti vetëm tre muaj, se drejtori i saj e vlerësoi si oligofren (mendjedobët). Shpikjen e parë, që ishte një aparat për regjistrimin e zërave, Edisoni e bëri kur ishte 21 vjeç. Aparati nuk pati asnjë lloj suksesi tregtar. Ndaj, ai iu fut ndërtimit të një aparati tjetër për qëllime tregtie. Pak kohë pas kësaj, ndërtoi një telegraf të ri, të përpunuar për nevoja të shpejta. Atë e shiti 40000 dollarë, një shumë e madhe për kohën. Pas këtyre, Edisoni vijoi me një varg shpikjesh të reja, që e pasuruan shumë dhe e bënë mjaft të njohur. Ndoshta, shpikja më origjinale e tij është fonografi, i patentuar në vitin 1877. Megjithatë, zbulimi më i rëndësishëm dhe më thelbësor për jetën njerëzore në përgjithësi, është ai i ndriçimit elektrik, i kryer në vitin 1879.

Edisoni, nuk është i pari që ka menduar për ndriçimin elektrik. Disa vite më parë, për ndriçimin e rrugëve në Paris përdoreshin llambat me vernik. Por, llamba e Edisonit së bashku me sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike (gjithashtu shpikje e tij) e bënë ndriçimin elektrik shumë më të përshtatshëm për përdorim masiv. Në vitin 1822, Kompania e Edisonit në Nju Jork filloi prodhimin e energjisë elektrike për përdorim shtëpiak, që u përhap menjëherë në të gjithë botën.

Me krijimin e kompanisë së parë për furnizimin me energji elektrike të shtëpive, Edisoni vendosi bazat e industrisë së madhe energjetike. Sot, centralet elektrike, japin energji jo vetëm për të ndriçuar, por edhe për të vënë në punë një numër të madh aparatesh elektroshtëpiake, që nga televizori e deri te makina larëse. Veç kësaj, sistemi i tij për prodhimin e energjisë nxiti në mënyrë të dukshme shfrytëzimin e energjisë elektrike në industri. Edisoni, ka dhënë gjithashtu një ndihmesë shumë të madhe për krijimin e kinokamerës dhe aparateve projektuese. Ai përmirësoi dukshëm telefonin: futja në mikrofon e tij të oksidit të karbonit e qartësoi në mënyrë të jashtëzakonshme zërin. Pas kësaj, përmirësoi telegrafin dhe makinën e shkrimit. Midis shpikjeve të tij janë edhe diktofoni, ciklostili dhe akumulatori. Edisoni ka patentuar më tepër se 1000 shpikje të ndryshme, me të vërtetë kjo në arritje e jashtëzakonshme, e pabesueshme. Një nga arsyet kryesore për aktivitetin e tij të gjerë në fushën e shpikjeve ishte, se ai, që në fillim të veprimtarisë ndërtoi në Manlo Park të Nju Xhersit, një punishte të madhe, ku angazhoi një grup ndihmësish të aftë. Punishtja ishte prototip i laboratorëve të mëdhenj studimorëkërkimorë, si ato që më vonë u ndërtuan nga firmat industriale. Organizimi bashkëkohor, pajisja e laboratorit kërkimor me mjete nga më të mirat e kohës, ku punonin në skuadra shumë veta, është zbulim i rëndësishëm i Edisonit, megjithëse ky zbulim nuk mund të patentohej. Edisoni nuk ishte vetëm shpikës. Ai u mor edhe me veprimtari prodhuese, si dhe themeloi disa kompani. Më  e rëndësishmja është Kompania e Përgjithshme Elektrike (General Electric Company). Ndonëse Edisoni nuk ishte qind për qind shkencëtar, ai dha një ndihmesë mjaft të madhe shkencore. Në vitin 1882 zbuloi se në kushtet e një zbrazëtie pothuajse ideale, energjia elektrike mund të kalojë në mes dy linjave, pa u prekur njëra me tjetrën. Kjo shfaqje, e njohur si efekti i Edisonit, pati rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për teorinë shkencore, por gjeti zbatim të rëndësishëm në praktikë. Me kohë, ky zbulim solli krijimin e llambës elektrike dhe, së bashku me të, hedhjen e bazave të elektroteknikës. Shqetësimin që kishte nga një problem i rëndë në vesh Edisoni e kapërceu me punë dhe me shpikje. U martua dy herë. E shoqja e parë i vdiq e re. Prej martesave pati nga tri vajza. Vdiq në Uest Orinc të Nju Xherist në vitin 1931. Për talentin e Edisonit nuk ka diskutim. Të gjithë janë të mendimit se ai është shpikësi më i madh i të gjitha kohërave. Lista e arritjeve të tij ngjall respekt. Por, po të shohim çdo zbulim të tij në veçanti, arrijmë në përfundimin se asnjë nga ato nuk ka rëndësi kryesore të jashtëzakonshme. Për shembull, llamba elektrike, edhe pse me përdorim të gjerë, nuk është e pazëvendësueshme sot. Llambat fluoreshente, që punojnë me një parim krejt tjetër, kanë gjithashtu përdorim të gjerë dhe nuk do të na dukej ndryshe në qoftë se në përgjithësi nuk do të përdornim llambën elektrike. Para këtyre, si burim drite janë shfrytëzuar qirinjtë, llambat me vajguri apo gazi etj. Fonografi, gjithashtu është një zbulim i zgjuar, por kush ka guxim të pohojë se ai na i shndërroi jetën ashtu si na i shndërroi radioja, televizioni apo telefoni? Veç kësaj, vitet e fundit janë krijuar metoda të reja për regjistrimin e zërit, për shembull, kasetofoni. Në qoftë se nuk do të kishim fonografin, apo gramafonin, nuk do ta ndienim aq shumë atë mungesë. Shumë nga patentat e Edisonit, janë përmirësime të zbulimeve të mëparshme, në një formë marrëveshjeje për përdorim. Megjithatë, së paku, në mënyrë thelbësore, ato nuk mund të kenë rëndësi kryesore në zhvillimin e historisë njerëzore. Edhe pse asnjë nga zbulimet e Edisonit nuk ka rëndësi kryesore jetësore, nuk duhet të harrojmë se ato janë mbi 1000. Pikërisht, për këtë Edisoni vihet në libër përpara zbuluesve të njohur, si: Guljemo Markoni, (zbuluesi i radios) dhe Aleksandër Gream Bell, (shpikësi i telefonit).

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Anton Van Levenhuk.