5 shtatori, ‘Ditë Botërore e Bamirësisë’

0
173

Shtatori shënon muajin e solidaritetit dhe ndihmës për njëri-tjetrin. Në vitin 2012 për nder të punës bamirëse dhe kontributit madhështor të Shën Nënë Terezës ‘Kombët e Bashkuara’, zyrtarisht vendosën që 5 shtatorin, të shpallin si ‘Ditë Botërore të Bamirësisë’.

Në këtë ditë reflektojmë mbi krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse për të ndihmuar lehtësimin e varfërisë në komunitetin ku jetojmë, përmirësimin e shërbimeve pubike, arsimimin, mbrojtjen e fëmijëve dhe ndihma të tjera.

‘Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë’, u krijua me qëllim të sensibilizimit dhe mobilizimit të njerëzve, OJQ-ve në të gjithë botën, për të ndihmuar të tjerët përmes aktiviteteve vullnetare dhe filantropike.

Organizata humanitare ‘Caritas Kosova’, është njëra nga organizatat më kontribuese në fushën e ndihmës sociale, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Drejtori ekzekutiv i ‘Caritas Kosova’ Alfred Pjetri, në një intervistë ekskluzive për Radio KFOR-in tregoi për misionin e kësaj organizate dhe ndihmën e vazhdueshme që kjo organizatë bën në mbështetjen e personave në nevojë:

“Caritas Kosova është një organizatë humanitare që vepron nga viti 1992 dhe misioni ynë ëshë mbrojtja e dinjitetit njerëzor, ulja e varfërisë dhe përkrahja e personave për një perspektivë të qëndrushme sociale dhe ekonomike. Organizata jonë mbështet në mënyrë të vazhdueshme dhe 5 shtatorin, Ditën Botërore të Bamirësisë do ta shënojmë me përkrahjen e 20 familjeve me pako ushqimore”, tregoi Pjetri.

Alfred Pjetri tha se organizata që ai drejton ‘Caritasi’, vetëm nga fillimi i këtij viti, ka shpërndarë rreth 79 ton ndihma humanitare që përfshijnë gjëra ushqimore, veshëmbathje, shtretër spitalor dhe ndihma të tjera.

Për fund Pjetri apeloi tek të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, që të ndihmojnë personat në nevojë, në forma që ata kanë mundësi, në mënyrë që të solidarizohemi me njëri-tjetrin.

Një ndihmë e vogël e juaja mund të jetë ndihmë shumë e madhe për dikë.