Udhëheqësi më i shquar i botës antike, themeloi më shumë se 20 qytete

0
723

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 33 me rradhë ka Aleksandrin e Madh.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXIII- Aleksandri i Madh
(356-323 p.e.s)

Udhëheqësi më i shquar i botës antike, Aleksandri i Madh, u lind në vitin 356 p.e.s. në Pela, qyteti kryesor i Maqedonisë. I ati, Filipi i Maqedonisë ka qenë mendjemprehtë dhe me aftësi të mëdha: Ai i shumoi dhe i riorganizoi ushtritë maqedonase në një mënyrë të tillë sa i shndërroi në një fuqi të madh ushtarake të klasit më të lartë. Në fillim, nënshtroi rajonet e afërta të Greqisë Veriore. Pas kësaj, mori rrugën për në Jug, ku pushtoi pjesën më të madhe të Greqisë. Ai krijoi federatën e qytet-shteteve të Greqisë, në krye të së cilës qëndroi vetë. Qëllimi i fundit i tij ishte pushtimi i Perandorisë Persiane, në lindje të Greqisë. Mësymjen e madhe e filloi në vitin 336 p.e.s., kur ishte 46 vjeç, por nuk arriti të vazhdonte gjatë se u vra nga një fisnik i ri.
Pra, 20 vjeç Aleksandri mbeti pa baba. Megjithatë, pa vështirë si zuri vendin e tij. Vite më parë, Filipi kishte marrë të gjitha masat, që i biri t’i trashëgonte fronin. Ai i kishte dhënë Aleksandrit kulturën e përgjithshme dhe atë ushtarake, i kishte vënë si profesor privat Aristotelin, shkencëtarin dhe filozofin më të shquar të botës antike.

Popullsia e shtypur e Greqisë dhe e territoreve veriore, me vdekjen e Filipit, panë mundësinë për t’u çliruar nga pushtimi maqedonas. Por, vetëm dy vjet pas marrjes së pushtetit, Aleksandri arriti t’i paqësonte këto rajone. Pas kësaj, vëmendjen e përqendroi drejt Persisë.

Gjatë dy shekujve. Persianët qeverisnin në territore të mëdha, që shtriheshin nga India deri në detin Mesdhe. Edhe pse Persia nuk ishte në kulmin e fuqisë së vet,   përsëri ajo ishte një kundërshtar i tmerrshëm: ishe perandoria më e madhe, më e fuqishme dhe më e pasur e botës.

Në vitin 334 p.e.s., Aleksandri filloi të merrej drejtpërsëdrejti me Perandorinë Persiane. Me synimin e ruajtjes së territoreve të pushtuara në Evropë ai sulmoi rrezikshëm me 35000 ushtarë, një numër mjaft i vogël ky në krahasim me epërsinë numerike shumë të madhe të ushtrisë persiane, dhe arriti disa fitore radhazi. Arritja e këtyre fitoreve erdhi si rezultat i këtyre tri faktorëve: Së pari, ushtria e Aleksandrit, e trashëguar nga i ati, Filipi, ishte shumë më e përgatitur dhe më e organizuar se ajo e Persisë. Së dyti, si udhëheqës ushtarak, Aleksandri s’kishte të krahasuar, ishte me të vërtetë gjeni, ishte më i madhi i të gjitha kohërave. Faktori i tretë lidhet me trimërinë vetjake. Ndonëse në fillim të çdo beteje, ai udhëhiqte nga radhët e prapme të ushtrisë, gjatë betejës ai do të ndodhej në ballë të sulmit kalorësiak. Ky veprim e rrezikonte shumë, ndaj edhe u plagos disa herë. Por, pati efekt të çuditshëm në moralin luftarak të ushtarëve të tij, të cilët shihnin me sytë e tyre se si luftonte ai, si e ndante rrezikun me ta dhe se nuk u kërkonte asgjë më tepër nga çka bënte vetë. Në fillim, ai sulmoi njësitë persiane që ishin vendosur në Azinë e Vogël. Pas kësaj, mori rrugën drejt Sirisë Veriore, ku në Isi mundi një nga ushtritë kryesore të Perandorisë Persiane. Duke udhëtuar drejt jugut, pas ndonjë muaji rrethimi, pushtoi qytetin fenikas, Tir(sot në Liban). Gjatë rrethimit të Tirit, mbreti i Persisë, me anën e një letre, në këmbim të gjysmës së Perandorisë, i kërkonte Aleksandrit pushimin e luftës. Parmenioni, një nga udhëheqësit ushtarakë të Aleksandrit, mendoi që ky propozim ishte i pranueshëm. ”Po të isha në Vendin e Aleksandrit, unë do ta pranoja”. – i tha ai.”Edhe unë gjithashtu, po të isha në vend të Parmenionit.”- iu përgjigj Aleksandri.Pas marrjes së Tirit, Aleksandir vazhdoi më tutje, për në jug, ku mbajti për dy muaj të rrethuar Gazën. Pas pushtimit të saj, Egjipti u dorëzua pa kushte. Ndërkohë, duke e lënë ushtrinë e tij të çlodhet, ai u kurorëzua faraon dhe u shpall profet. Ishte 24 vjeç. Pas kësaj, marshoi drejt Azisë. Në betejën vendimtare, që u zhvillua në vitin 331 p.e.s, në Arbela, Aleksandri e shkatërroi plotësisht ushtrinë shumë më të madhe persiane.

Më tej ai vazhdoi për në Babiloni, që udhëhiqej nga Suza dhe Persepolisi. Në vitin 330 p.e.s., mbreti i Persisë, Dari III ishte vrarë nga gjeneralët e tij, të cilët nuk donin t’i dorëzoheshin Aleksandrit. Gjithsesi, Aleksandri kishte ngadhënjyer, madje kishte vrarë edhe trashëgimtarin e Darit III. Pas tri vjetësh pushtoi Iranin Lindor dhe hyri në Azinë e Mesme. Kështu, Aleksandri pushtoi tërë Perandorinë Persiane. Pas kësaj, mendonte të kthehej në shtëpi për të organizuar territoret e  pushtuara. Por etja për pushtime të reja e kishte dalldisur fare: Ai vazhdoi drejt Afganistanit. Kapërceu masivin malor, Hindukush dhe hyri në Indi. Në Indinë Perëndimore fitoi një varg betejash. Synoi për të hyrë në pjesën lindore të vendit. Por, ushtarët e tij të lodhur dhe të rraskapitur nga luftërat e gjata, nuk pranuan të vazhdonin më tej. I pakënaqur nga ata, Aleksandri u detyrua të kthehej në Persi.

Aty, për më shumë se një vit, ai u mor kryesisht me organizmin e ushtrisë dhe të mbretërisë. Kjo pati shumë rëndësi, pasi Aleksandri që ishte arsimuar me bindjen se kultura greke ishte i vetmi civilizim i vërtetë, ndërsa popujt e tjerë jo grekë ishin egërsira, koncept ky i përkrahur edhe nga Aristoteli dhe mbizotërues në kohën e helenizmit, vuri re se persianët nuk kishin qenë egërsira. Çdo persian kish qenë aq inteligjent, i aftë dhe i nderuar sa edhe çdo grek. Pikërisht për këtë, Aleksandri arriti në idenë që t’i bashkonte dy pjesët që udhëhiqte në një perandori të vetme, du-ke krijuar kështu kulturën e përbashkët greko-persiane, në krye të së cilës të ishte vetë. Mund të mendohet lirshëm se ai kishte në plan t’i vinte në një nivel persianët, grekët dhe maqedonasit. Për realizimin e kësaj ideje, ai mori në ushtrinë e tij shumë persianë; organizoi një ceremoni të madhe, e njohur si “Kurorëzimi midis lindjes dhe perëndimit”, ku disa qindra ushtarë maqedonas u martuan me vajza aziatike.Edhe Aleksandri, ndonëse i martuar me një princeshë aziatike, u rimartua përsëri me vajzën e Darit.

Me riorganizmin e ushtrisë, Aleksandri përgatitej për pushtime të reja. Ai kishte në plan të ndërhynte në Arabi, që të pushtonte territoret e veriut të Persisë. Mundet që në planet e tij ai të kishte parashikuar edhe pushtime të reja në Indi, ose të pushtonte Romën, Kartagjenën, ndoshta edhe Mesdheun Perëndimor. Pa marrë parasysh planet e tij, është vërtetuar se pushtime të reja nuk janë bërë. Në fillim të qershorit të vitit 323 p.e.s., kur ndodhej në Babiloni, papritur Aleksandri sëmuret nga ethet dhe pas dhjetë ditësh vdes. Vdekja e mori para se të mbushte 33 vjeç. Me që Aleksandri nuk kishte lënë trashëgimtar, menjëherë shpërthyen luftërat për pushtet. Së pari, u vranë e ëma, dy të vejat dhe fëmijët. Në fund, mbretëria u nda midis komandantëve të tij. Duke u nisur nga fakti, që Aleksandri vdiq i ri dhe i pamposhtur, ekzistojnë shumë pikëpyetje, se ç’mund të kishte ndodhur nëse ai nuk do të kishte vdekur në moshë të re. Përderisa ai kishte urdhëruar ushtrinë e tij për pushtime drejt tokave të Mesdheut Perëndimor, është më se e qartë që edhe aty do të arrinte suksese. Në një rast të tillë e tërë Evropa Perëndimore do të ishte krejt ndryshe. Megjithatë, parashikime të tilla, sado interesante të jenë, nuk kanë lidhje me vlerësimin e ndikimit të tij në përgjithësi. Aleksandri mund të jetë figura më dramatike në historinë njerëzore. Personaliteti dhe sukseset e tij ndezin admirim dhe entuziazëm. Faktet nga jeta e tij janë aq të ngjeshura me dramacitet, sa që emri tij ka krijuar shumë gojëdhëna. Si ushtarak, tek ai bashkoheshin aftësitë dhe guximi. Si udhëheqës ushtarak ishte i paarritshëm: Gjatë 11 vjetëve luftë, nuk humbi asnjë betejë.

Krahas kësaj, ishte inteligjent, kishte mësuar nga Aristoteli, ishte adhurues i poemave të Homerit. Duke shprehur mendimin se njerëzit me prejardhje jo greke, nuk janë detyrimisht egërsira, ai praktikisht shfaqi një parashikim shumë më të largët se shumica e mendimtarëve grekë të asaj kohe. Nga ana tjetër, ai papritur u tregua dritëshkurtër në politikë. Edhe pse, herë pas here, gjatë bete-jave, jeta e tij ndodhej në rrezik, ai nuk parashikoi që të caktonte trashëgimtarin e vet. Pikërisht, kjo gjë solli shkatërrimin e shpejtë të Perandorisë pas vdekjes së tij. Aleksandri kishte natyrën e vet: shpesh tregohej jashtëzakonisht shpirtmadh dhe i dashur me armiqtë e mundur. Nga ana tjetër, ndodhte ngandonjëherë që të ishte mjaft i ashpër, barbar: Në një grindje dehjeje kishte vrarë Klejtin, një nga ndihmësit më të afërt, që i kishte shpëtuar edhe jetën. Si Napoleoni dhe Hitleri, Aleksandri pati ndikim të madh në brezat e tij. Megjithatë, ndikimi i tij nuk ka atë shtrirje të dy të tjerëve, për vetë faktin se në atë kohë, mjetet e udhëtimit e të komunikacionit nuk mundësonin përhapjen në trevat e tjera më të mëdha. Në fund të fundit, rezultati më i rëndësishëm i pushtimeve të Aleksandrit ka qenë krijimi i kontaktit midis civilizimit grek dhe atij te Lindjes se Mesme, gjë që ndikoi në pasurimin e dy kulturave. Gjatë kohës së Aleksandrit dhe më pas, kultura greke hyri shpejt në Iran, Mesopotami, Siri, Judai dhe Egjipt. Edhe më parë, kultura greke kishte hyrë aty, por me hapa shumë të ngadalta. Veç kësaj, Aleksandri e zgjeroi ndikimin e kulturës greke edhe në ato vende të Indisë dhe Azisë së Mesme ku nuk njihej fare. Ky ndikim kulturor, jo rastësisht nuk është i të njëjtit drejtim. Gjatë helenizmit (shekuj pas vdekjes së Aleksandrit), në botën greke hynë idetë e lindjes, konkretisht ato fetare. Pikërisht, ajo kulturë helenike, para së gjithash greke, por me përzierje të fuqishme lindore, u pranua në Romë. Gjatë pushtimeve të tij, Aleksandri themeloi më shumë se 20 qytete. Më i njohuri nga ata është Aleksandria në Egjipt. Ky qytet, shpejt u shndërrua në një nga vendet më të bukura të botës dhe u bë një qendër e rëndësishme shkencore dhe kulturore. Qendra të rëndësishme u bënë edhe qytetet Herat dhe Kandahar në Afganistan. Aleksandri, Napoleoni dhe Hitleri duket se janë mjaft afër për ndikimin e tyre në histori. Megjithatë, përshtypja jonë është se dy të fundit kanë patur një ndikim më pak të qëndrueshëm. Për këto arsye, Aleksandri është klasifikuar pak më lart nga ata, edhe pse ndikimi i tij në kohën e vet kishte shtrirje më të vogël.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Napolon Bonaparti.