Themeluesi i Mongolisë, emri i tij do të thotë “Perandor i Botës”

0
162

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 29 me rradhë ka Çengis Khan.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXIX Çengis Khan
(1162-1227)

Çengis Khani, themeluesi i Mongolisë, është lindur rreth vitit 1162. Emrin e vërtetë e ka patur Temucin. I ati ka qenë udhëheqës i një fisi të vogël mongolësh. Kur ai u vra nga kundërshtarët e një fisi tjetër, Temucini ishte 9 vjeç. Pas kësaj, gjendja ekonomike e familjes u rëndua dhe u rrezikua shumë nga armiqtë. Në vitet e rinisë, Temucini u zu rob dhe u mbajt në burg nën zgjedhë. Kështu, me zgjedhën e drurit rreth qafës, si një rob i pashkollë dhe pa ndihmën e askujt, ai më vonë do të arrinte majat më të larta të lavdisë, do të bëhej udhëheqësi më i fuqishëm i botës.

Ngjitjen në karrierën luftarake, Temucini e filloi menjëherë pas arratisjes nga burgu. Shpejt ra në kontakt me mikun e babait të tij, Togrilin, që ishte udhëheqës i një fisi të ngjashëm në atë regjion. Të dy së bashku kryen shumë luftëra me fiset mongole. Në kushte të tilla, Temucini shkallë-shkallë filloi të ngjiste majat e lavdisë.

Mongolët kanë qenë gjithmonë kalorës të shkathët dhe luftërat të vendosur. Me kalimin e kohës, ata gjithnjë e më tepër sulmonin trevat e Kinës Veriore. Megjithatë, para daljes në skenë të Temucinit, fiset mongole i kishin shpenzuar fuqitë e tyre në luftërat vetjake. I mbrojtur në vetvete me burrërinë luftarake, shkathtësinë diplomatike dhe aftësitë organizative, ai arriti t’i bashkonte fiset mongole nën udhëheqjen e tij. Në vitin 1206, Kuvendi i Udhëheqësve Mongolë e zgjodhi atë “Çengis Khan”,që do të thotë “Perandor I Botës”.

Duke i bashkuar fiset, Temucini organizoi një makinë të tmerrshme ushtarake,që fillimisht e drejtoi drejt vendeve fqinje. Së pari, pushtoi shtetin Shi, që ndodhej në veriperëndim të Kinës. Pas kësaj, sulmoi Perandorinë e Kinës Veriore. Ndërsa luftonte në tokat kineze, shpërtheu një konflikt i mprehte me Hvarizmi Shah Muhamet, që ishte një udhëheqës i Perandorisë së madhe të Persisë dhe Azisë së Mesme. Në vitin 1219, Çengis Khani i drejtoi ushtritë e tij kundër Hvarizmit, të cilit ia shkatërroi plotësisht shtetin, duke nënshtruar Azinë e Mesme dhe Persinë. Në luftërat e mëtejshme, mongolët pushtuan Rusinë, ndërsa Çengis Khani udhëhoqi pushtimin mbi Afganistanin dhe Indinë Veriore. Në Mongoli u kthye në vitin 1225 dhe vdiq në vitin 1227.

Si trashëgimtar të vetin, para se të vdiste, Çengiste Khani la djalin e tij të tretë, Ogadaj, i cili e justifikoi besimin e të atit: u bë një udhëheqës ushtarak i jashtëzakonshëm. Ushtritë mongole nën udhëheqjen e tij i vazhduan luftërat në Kinë, pushtuan Rusinë dhe përparuan drejt Evropës. Në vitin 1241 mposhtën edhe ushtrinë polake, gjermane dhe hungareze. Ushtritë mongole arritën deri në Budapest dhe vazhduan më tej, në perëndim. Por atë vit, Ogadaj vdiq. Atëhere mongolët u tërhoqën nga Evropa dhe nuk u kthyen më aty asnjëherë.

Erdhi koha që udhëheqësit mongolë të hynin në grindje njeri me tjetrin për trashëgimin e fronit. Gjatë periudhës së dy khanëve të fundit (Magllu Khan dhe Kubllaj Khan,nipër të Çengis Khanit), mongolët vazhduan luftërat në Azi. Në vitin 1279, kur Kubbllaj Khan pushtoi Kinën, mongolët krijuan perandorinë më të madhe në historinë botërore. Kjo perandori përfshinte; Kinën, Rusinë dhe Azinë e Mesme, pas kësaj, Persinë dhe pjesën më të madhe të Azisë Juglindore. Ushtritë mongole ishin shpërndarë që nga Polonia deri në Indinë Veriore, ndërsa pushtetin e Kubllaj Khanit e njohën Korea, Tibeti dhe pjesa e Azisë Juglindore.

Me mjetet e atëhershme të transportit dhe komunikacionit ishte shumë e vështirë të mbahej një perandori kaq e madhe. Ndaj, ajo u shkatërrua shpejt. Megjithatë, mongolët vazhduan edhe për një kohë të administronin disa shtete të perandorisë. Në vitin 1368, u dëbuan pothuajse nga e tërë Kina. Ndërsa Rusinë vazhduan ta mbanin ende. Medalja e artë, e krijuar nga nipi i Çengis Khanit për mbretërinë mongole në Rusi, ekzistoi deri në shekullin XVI, ndërsa Khani i Krimesë qëndroi deri në vitin 1783. Djemtë apo nipërit e tjerë të Çengis Khanit krijuan dinasti, që zotëronin treva nga Azia e Mesme dhe Persia. Gjatë shekullit XIV këto treva ishin nën pushtetin e Tamerlanit (i njohur edhe si Timur Lengu), i cili e kishte deklaruar veten si pasardhës (nip-stërnip) i Çengis Khanit. Fundi i këtyre dinastive erdhi në shekullin XV. Por ky nuk ishte fundi i luftërave dhe i pushteteve mongole. Stërnipi i Tamerlanit, Baber, pushtoi Indinë dhe aty krijoi dinastinë e Mogulëve (mongolëve). Udhëheqësit mogulë, që pushtuan pothuajse tërë Indinë, mbetën aty deri në mesin e shekullit XVIII.

Gjatë rrjedhës së historisë ndeshim me një numër figurash, deri diku të marrë, të cilët i patën vënë detyrë vetes që të pushtonin botën. Disa prej tyre ia arritën qëllimit. Më të shquarit midis megalomanëve të tillë, kanë qenë Aleksandri i Madh, Çengis Khani, Napoleon Bonaparti dhe Adolf Hitleri. Që të katër këta, në libër zënë një nga vendet e para. Mos vallë luftërat dhe pushtimet e tyre janë më të rëndësishme se idetë? Nuk mund të mos pajtohemi me idenë se në fund të fundit pena është më e fortë se shpata. Megjithatë, secili më vete nga këta të katër kanë udhëhequr në territore aq të mëdha dhe me një popullsi aq të dendur dhe kanë ndikuar aq fuqishëm në jetën e bashkëkohësve të tyre, sa që ne nuk mund t’i hedhim poshtë si banditë të zakonshëm.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Adam Smith.