Ky personalitet është i njohur si teoricieni më i madh në fushën e fizikës në periudhën midis Njutonit dhe Ajnshtajnit

0
79

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, 24 me radhë e ka Xhejms Klark Maksvell.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXIV- Xhejms Klark Maksvell
(1831-1879)

Fizikani i madh anglez, Xhejms Klark Maksvell, para së gjithash është i njohur për formulimin e katër ekuacioneve, që pasqyrojnë ligjet bazë të elektricitetit dhe magnetizmit.

Këto dy fusha kanë qenë studiuar shumë vite para Maksvellit dhe dihej imtësisht lidhja e tyre e ngushtë. Megjithatë, edhe pse ishin zbuluar ligje të ndryshme për elektricitetin dhe magnetizmin, ato zbatoheshin në raste të veçanta. Para Maksvellit nuk ka patur ndonjë teori të plotë për to. Me katër ekuacionet e tij të shkurtra (edhe pse shumë të ndërlikuara) ai arriti të shprehte me sukses të plotë marrëdheniet e ndërsjella të lëvizjes së fushave elektrike e magnetike. Kështu, ai bashkoi shumë të dhëna të ndërlikuara në një teori të vetme të kulluar. Mbi më se një shekull, ekuacionet e Maksvellit shfrytëzohen gjerësisht, si nga shkenca teorike, ashtu dhe ajo e zbatuar.

Vlera e madhe e këtyre ekuacioneve qëndron në rëndësinë e përgjithshme të tyre, veçanërisht ato shërbejnë në çfarëdolloj kushtesh. Me anë të tyre mund të nxirreshin të gjitha ligjet e njohura para saj për elektricitetin dhe magnetizmin, si dhe të tjera të panjohura deri atëhere.

Rezultatin më thelbësor të këtyre e ndoqi vetë Maksvelli. Nga ekuacionet nxori përfundimin e ekzistencës së mundshme të vibracioneve periodike në fushën elektromagnetike. Pasi provokohen, vibracionet, të quajtura valë elektromagnetike, shpërndahen në hapësirë. Me ndihmën e ekuacioneve, Maksvelli vërtetoi, se shpejtësia e valëve elektromagnetike shkon deri në 300 mijë km/sek. Ai theksonte, se kjo ishte edhe shpejtësia e dritës. Prej këtej, arriti në përfundimin se drita është e përbërë nga valë elektromagnetike.

Kështu, ekuacionet e Maksvellit u bënë ligjet bazë jo vetëm për elektricitetin dhe magnetizmin, por edhe për optikën.Në thelb, nga këto ekuacione mund të nxirren jo vetëm të gjitha ligjet e njohura të optikës, por mund të zbulohen edhe shumë fakte të reja, të panjohura.

Pamja e dritës nuk është dukuria e vetme elektromagnetike e ndritshme. Ekuacionet tregojnë se mund të ketë edhe valë të tjera elektromagnetike, që ndryshojnë nga drita e dukshme sipas gjatësisë dhe dendurisë së tyre. Këto përfundime teorike, më vonë, në mënyrë të shkëlqyer i vërtetoi Hajnrih Hero, i cili zbuloi valët e padukshme, ekzistencën e të cilëve e kishte parashikuar Maksvelli. Ndërsa, disa vite më vonë, Guljem Markoni, demonstroi shfrytëzimin e këtyre valëve të padukshme për dhënien e lajmeve pa tel. Kështu, radioja u bë realitet. Sot, ato valë kanë rëndësi edhe për televizionin. Rrezet rëntgen, gama, infra të kuqe janë shembull tjetër i rrezatimeve elektromagnetike. Të gjitha këto mund të studioheshin nëpërmjet ekuacioneve të Maksvellit.

Lavdia e Maksvellit lidhet kryesisht me zbulimet e tij në fushat e elektromagnetizmit dhe të optikës. Por, ai ka merita të mëdha edhe në fusha të tjera të shkencës, si dhe në teorinë e astronomisë dhe të termodinamikës. Ai u interesua shumë për teorinë kinetike të gazeve. Llogariti shpejtësitë e ndryshme të lëvizjes së gjithë molekulave të gazit: disa molekula gazi lëvizin ngadalë, disa të tjerë më shpejt dhe të tretat jashtëzakonisht shpejtë. Maksvelli përpunoi formulën me anën e së cilës përcaktohet (për çdo temperaturë të dhënë) shpejtësia e lëvizjes së molekulave të veçanta të një gazi të caktuar. Kjo formulë, e quajtur “Klasifikimi Maksvellian” është një nga ekuacionet më të shfrytëzueshme që gjen zbatim të madh edhe në shumë pjesë të fizikës.

Maksvelli u lind në vitin 1831 në Edinburg të Skocisë. Që në moshën 14-vjeçare mbajti përpara Shoqatës Mbretërore të Edinburgut leksione shkencore. Studimet i vazhdoi në universitetin e vendlindjes, por diplomën e mori në Kembrixh. Për një kohë të gjatë punoi si profesor në institucione të larta arsimore dhe në fund në Universitetin e Kembrixhit.

Në përgjithësi, Maksvelli është i njohur si teoricieni më i madh në fushën e fizikës në periudhën midis Njutonit dhe Ajnshtajnit. Megjithatë, karriera e tij e shkëlqyer në fushën e shkencës mori fund para kohe: Në vitin 1879, disa ditë para se të mbushte moshën 48 vjeç, vdiq nga kanceri.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Martin Luter.