Ai u dënua me djegie në turrën e druve pasi tezat e tij akuzonin ashpër Kishën Katolike Romake, e shpëtoi populli

0
174

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, 25 me radhë e ka Martin Luter.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXV- Martin Luter
(1483-1546)

Themeluesi i parimit të Reformimit protestant, Martin Luteri, është lindur në vitin 1483 në Ajsleben të Gjermanisë. Sipas dëshirës së të atit, gjatë kohës që kreu arsimin solid universitar, studioi edhe për drejtësi, por që nuk e përfundoi, pasi u bë anëtar i radhës së monarkisë Augustiane. Në vitin 1512, në Universitetin e Vitenbergut, mori gradën “Doktor i shkencave” dhe pas kësaj u bë pedagog në atë universitet. Në vitin 1510, Luteri ndërmori një udhëtim në Romë, ku u befasua nga jeta e shfrenuar e plot përfitime, që bënin priftërinjtë e Kishës Katolike Romake. Pakënaqësia iu shtua më tepër kur vuri re praktikën e kishës për shitjen e indulgjencave (dokumente, që pasqyrojnë faljen e mëkateve). Në shenjë proteste, më 31 nëntor të vitit 1517, ai vendosi në derën e kishës së Vitenbergut 95 tezat e tij të famshme, me anën e të cilave akuzonte ashpër Kishën Katolike Romake për korrupsion në përgjithësi dhe për shitjen e indulgjencave në veçanti. Kopje të këtyre tezave ia dërgoi edhe Arkipeshkopit në Majnc dhe pasi i botoi, i shpërndau anembanë zonës.

Protestat ndaj Kishës Katolike Romake u përhapën menjëherë. Luteri, duke hedhur poshtë të drejtat ligjore të Papës dhe të Kuvendit të Kishës, deklaroi se do të udhëhiqej vetëm nga Bibla dhe mendimi i shëndoshë. Ashtu siç pritej, Kisha u zemërua shumë nga këto veprime të tij. Ajo e thirri atë përpara përfaqësuesve të lartë të saj, por pasi pa që ai nuk u pendua, në vitin 1521 Këshilli i Vormit vendosi ta largonte nga kisha duke e quajtur heretik. Pas kësaj, u ndalua çdo gjë e shkruar prej tij. Fundi i natyrshëm duhej të ishte djegia e Luterit në turrën e druve. Por, ai u mbrojt fuqishëm si nga populli, ashtu edhe nga një pjesë e madhe e feudaleve gjermanë, gjë që bëri të mundur anulimin e vendimit të rëndë.

Luteri ka qenë shkrimtar mjaft produktiv. Një pjesë e mirë e veprave të tij kanë patur ndikim të fuqishëm te lexuesit. Një nga punimet më të rëndësishme të tij është përkthimi i shkëlqyer i Biblës në gjuhën gjermane, që i dha mundësi çdo gjermani, sadopak të shkolluar, të njihej me Letrën e Shenjtë pa u mbështetur te kisha apo te të besuarit e saj (Midis të tjerave,ky përkthim ka ndikuar shumë në përmirësimin e gjuhës dhe letërsisë gjermane).

Natyrisht, këtu nuk është e mundur të zbërthehen në mënyrë të hollësishme idetë e Luterit. Por, një nga idetë bazë të tij, është doktrina për t’u shpëtuar mëkateve nëpërmjet fesë, ide e marrë nga shkrimet e Shën Pavlit. Sipas Luterit, ”njeriu është zhytur kaq shumë në mëkate, sa që veprat e mira nuk mund ta shpëtojnë nga mallkimi i përjetshëm. Deri në shpëtim, udhëheqin njëherësh feja, besimi dhe dashuria për Zotin. Në qoftë se është kështu, është e qartë se shitja e indulgjencave nuk është praktikë normale dhe kjo praktikë nuk të shpie gjëkundi. Pranimi tradicional i Kishës si ndërmjetësi kryesor midis të krishterit dhe Zotit, është i gabuar.”Në qoftë se miratohet kjo ide e Luterit,atëherë duket qartë se në përgjithësi ekzistenca e Kishës Katolike Romake nuk kishte baza.

Krahas kësaj, Luteri protestoi edhe për një varg problemesh të tjera të veçanta,që lidhen me rolin e kishës dhe shfaqjeve të saj.Për shembull, ai mbajti qëndrim ndaj ekzistencës së purgatorit dhe nuk pranoi idenë e paanësisë së priftërinjve.

Në vitin 1525, Luteri u martua me një murgeshë, me të cilën patën 6 fëmijë. Vdiq në vitin 1564, kur ishte për vizitë në qytetin e lindjes, në Ajsleben. Nuk mund të themi se Luteri ka qenë mendimtari i parë protestant, se një shekull para tij, ka qenë Jan Husi nga Çekia madje dhe më parë, në shekullin XIV, teologu anglez, Xhon Viklif, për të mos thënë për francezin Pjer Vaddo, që ka jetuar në shekullin VII, i cili me të drejtë mund të mendohet si një nga protestantët e hershëm. Megjithatë, dijet e secilit prej tyre kanë patur vetëm vend të rëndësishëm. Në vitin 1517, pakënaqësitë ndaj Kishës Katolike u shtuan aq shumë, sa që fjalët e Luterit për një çast shkaktuan një varg protestash, që përfshinë pjesën më të madhe të Evropës. Ja përse Luteri vlerësohet me të drejtë si themeluesi i parimit të Reformimit.
Rezultat i menjëhershëm i Reformimit ishte dukuria e sekteve të ndryshme protestante. Edhe pse protestantizmi ishte dukuri e veçantë e kristianizmit, përsëri kishte më shumë ithtarë se budizmi dhe shumë besime të tjera.

Rezultat i dytë i rëndësishëm i Reformimit ishte shpërthimi dhe përhapja e luftërave fetare në Evropë. Ndonjë nga ato, për shembull, lufta tridhjetëvjeçare në Gjermani, nga viti 1618 deri në vitin 1648, ishte shumë e ashpër. Pavarësisht nga luftërat, konfliktet politike midis katolikëve dhe protestantëve, në disa shekuj të mëvonshëm, luajtën rol të rëndësishëm në jetën politike të Evropës.

Reformimi ka luajtur rol të madh edhe për zhvillimin intelektual në Evropën Perëndimore. Para vitit 1517, ekzistonte vetëm një kishë zyrtare e njohur, Kisha Katolike e Romës dhe ata që nuk pajtoheshin me të trajtoheshin si heretikë. Një atmosferë e tillë e ndrydhte mendimin vetjak. Pas Reformimit, kur vende të ndryshme e pranuan parimin e lirisë së mendimit fetar, filloi të miratoheshin pikëpamjet të ndryshme.

Duhet kujtuar edhe diçka tjetër: Shumica e personaliteteve në këtë klasifikim janë nga Britania e Madhe, në vend të dytë nga Gjermania.E thënë ndryshe,në këtë libër mbizotërojnë personalitetet, që janë nga vendet protestante të Evropës Veriore e të Amerikës. Nga ana tjetër, të bën përshtypje, se vetëm Gutenbergu dhe Karli i Madh, kanë jetuar para vitit 1517. Figurat e tjera të mbetura vijnë nga vende të ndryshme të botës. Ndërsa ato personalitete, që kanë lindur në vendet e mëvonshme protestante, kanë më pak merita të ngjashme për kulturën dhe historinë e njerëzimit. Kjo tregon dukshëm, se protestantizmi dhe Reformacioni kanë qenë shkaqet kryesore për lindjen e kaq shumë personaliteteve të njohura gjatë 450 viteve të fundit në këto vende, se në të tjerat. Me të drejtë, liria më e madhe intelektuale që mbizotëroi në këto vende ka luajtur rolin kryesor.

Luteri nuk ka qenë pa mëkate. Edhe pse ka qenë rebel ndaj pushtetit absolut të kishës, ai është sjellë jashtëzakonisht ashpër me të gjithë ata që u kundërviheshin predikimeve fetare. Ndoshta, për këtë qëndrim të tij, luftërat fetare në Gjermani kanë qenë shumë më të ashpra dhe me më shumë gjak se luftërat, për shembull, në Angli. Shkrimet e tij të ashpra kundër hebrenjve, kanë shtruar në të vërtetë rrugën drejt erës së Gjermanisë Hitleriane.

Luteri respektonte pushtetin ligjor qytetar. Pos kësaj, këmbëngulte, që kisha të mos ngatërrohej në drejtimin e shtetit. Nuk duhet harruar se Reformimi nuk ka qenë vetëm një debat i fortë teologjik, por një rebelim nacionalist gjerman ndaj ndikimit të Romës. Mundet,që deri diku, ky të ketë qenë shkaku, që feudalët gjermanë e mbrojtën aq fuqishëm Luterin. Megjithatë, pavarësisht nga qëllimet dhe pikësynimet, veprat e tij nxitën me të vërtetë një numër të madh protestantësh që të pranonin absolutizmin në politikë. Në këtë vështrim, veprat e Luterit ndihmuan në hapjen e rrugës drejt erës hitleriane.

Mund të lindë pyetja, pse Luteri nuk është vendosur në një vend më të lartë në libër?

Së pari,edhe pse është personalitet shumë i rëndësishëm për evropianët dhe amerikanët, për qytetarët e Azisë dhe Afrikës, ku numri i të krishterëve është i paktë, ai nuk është aq i rëndësishëm. Shumicës së kinezëve,japonezëve apo indianëve nuk u interesojnë pothuajse aspak ndryshimet midis katolikëve dhe protestantëve. Në të vërtetë, edhe evropianëve nuk u interesojnë kushedi se ndryshimet që ekzistojnë ndërmjet synitëve e shinitëve (dy grupe udhëheqësish të myslimanizmit). Së dyti, Luteri u paraqit relativisht vonë në histori, prandaj, nuk mund të kishte të njëjtin ndikim që kanë patur Muhamedi, Buda dhe Mojsiu. Krahas kësaj, shekujt e fundit, roli i fesë në përgjithësi ka rënë mjaft. Në mijëvjeçarin e ardhshëm, ndikimi i fesë lidhur me veprat njerëzore do të bjerë edhe më tepër. Në qoftë se pikëpamjet fetare do të vazhdojnë të zbehen, të humbasin rëndësinë e tyre, atëhere historianët e ardhshëm, Luterin do ta rendisnin në një vend më të ulët në histori, se të sotmit.

Së fundi, të mos harrojmë, se konfliktet fetare në shekujt XVI-XVII nuk prekën aq shumë njerëz sa ç’prekën arritjet shkencore të së njëjtës periudhë. Ky është shkaku kryesor, që Luterin e vendosim pas Kopernikut (bashkëkohës i tij), edhe pse Reformimi ka luajtur rol më vendimtar në histori, se Koperniku në revolucionin shkencor.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Xhorxh Uashington.